Teksa komentonte të mërkurën propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, edhe një herë theksoi se  në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë duhet të përfshihet njohja e ndërsjellë.

Por nga DASH mbërrijnë sinjale se pozicioni i Washingtonit sa i takon njohjes reciproke mes dy vendeve, mbetet i pandryshuar.

“Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes Kosovës dhe Serbisë, përmes së cilit synohet të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse me qëllim përfundimtar njohjen reciproke”, u shpreh një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.

Çështja e njohjes u aktualizua pas letrave të dërguara nga presidenti amerikan, Joe Biden dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken te presidenti serb, Aleksandër Vuçiç për ditën kombëtare së Serbisë në 15 shkurt, në të cilat nuk përmendej në mënyrë specifike njohja reciproke mes dy vendeve.

Njohja nuk përfshihet po kështu në planin franko-gjerman të pranuar si nga Kosova, ashtu edhe nga Serbia, ku në këmbim, parashikohen të drejta të barabarta për të dyja, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një zgjidhje e vecantë për komunitetin serb në Kosovë.

Prishtina zyrtare vazhdon të insistojë tek njohja reciproke si mënyrë për arritjen e një ujdie finale gjithëpërfshirëse, ndërsa Beogradi kërkon zgjidhje kompromisi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA