E reja rumune thotë se thërritej për intervista pune në Angli vetëm kur përdorte emrin e rremë ‘Sarah C’ në CV (fotot)

16/02/2023 21:43

Një emigrante rumune në Angli ka dalë në faqet e tabloidit të njohur Daily Mail me historinë se kompanitë “diskriminonin ndaj emrit të saj të origjinës”, duke thënë se thërritej për intervista vetëm kur në CV-në e saj përdorte emrin e rremë anglez.

Georgiana Popescu është vendosur në Leeds, në veri të vendit në 2015 për të përfunduar master-in, para se të niste të kërkonte punë.

26 -vjecarja thotë se kishte aplikuar për më shumë se 100 vende pune, madje edhe në dyqane ose magazina, ndërsa shokët e saj britanikë gjenin lehtësisht punë sipas degës së studiuar në universitet.

Më pas Georgiana vendosi të aplikonte 40 pozicione te tjera me dy CV identike, por duke ndryshuar emrin te njëra për të përdorur tipikun anglez, ‘Sarah C’.

Ajo thotë se nuk u habit kur u kontaktua nga 11 kompani për të ardhur për intervistë, ndërsa aplikimet me emrin e saj Georgiana Popescu nuk u morën në konsideratë.

Tashmë pas disa vitesh pune në dyqane e shitje, ajo thotë se është e lumtur që ka gjetur punë si analiste financiare prej vitit të kaluar.

Ajo thotë se ka fituar besimin për të folur për eksperiencat e saj, kur më parë trembej nga rastet e ‘racizmit verbal’.

Georgiana, me origjinë nga Bukureshti në Rumani, jeton ende në Leeds, teksa thotë:

“E ndjeja që kishte diçka që nuk shkonte me CV-në time, herë pas here merrja komente si për shembull ‘Ktheu në vendin tënd’ apo ‘ke ardhur këtu për ndihmën sociale’, por nuk ishte kështu se nuk kisha marrë ndihmë sociale”.

“Unë isha ende studente dhe kam punuar si vullnetare dhe pas diplomimit aplikova për më shumë se 100 vende pune, derisa arrita të gjeja punë në magazinë e më pas si shitëse”.

“Ishte ndryshe nga kolegët e mi britanikë, derisa e kuptova që çështja ishte përshtypja e emrit tim të huaj. Por shpresoj ta kem kaluar këtë pengesë”, shton ajo.

FOTO GALERI
1/3
Georgiana Popescu është vendosur në Leeds, në veri të vendit në 2015 për të përfunduar master-in, para se të niste të kërkonte punë.

Top Channel