Bullgaria heq dorë nga nafta ruse/ Marrëveshje me Greqinë për ndërtimin e tubacionit

16/02/2023 18:19

Një hap të rëndësishëm në të ashtuquajturën diplomacia energjitike kanë arritur Bullgaria dhe Greqia me nënshkrimin e dy marrëveshjeve që synojnë ringjalljen e projektit të një tubacioni që do të transportojë naftë bruto nga porti grek i Aleksandoupolis në detin Egje, drejt portit të Burgasit, ku ndodhet rafineria e naftës së Bullgarisë.

Me ketë vepër me gjatësi 300 km, Sofja do të zëvendësojë 100% naftën e papërpunuar ruse që vinte në Bullgari nga Deti i Zi me tarifa tepër të larta me cisternat e naftës duke anashkaluar ngushticën e Bosforit tashmë të mbingarkuar.

Në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin bullgar Rumen Radev, kryeministri Mitsotakis ka theksuar se pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve për infrastrukturën energjetike dy vendet do të jenë furnizuese të energjisë në BE dhe do të kontribuojnë në sigurinë energjetike të saj.

“Është një provë e prekshme se si vendet tona mund të punojnë së bashku për të mirën e qytetarëve tanë, por edhe duke ofruar një shërbim më të gjerë për Bashkimin Evropian”, tha Kyriakos Mitsotakis, kryeministër i Greqisë.

“Ky bashkëpunim reciprokisht i dobishëm po ndryshon gjithashtu hartën në Evropën Juglindore, duke hapur perspektiva të reja”, u shpreh Rumen Radev, president i Bullgarisë.

Nga ana tjetër, pas ndërprerjes së furnizimit me gaz nga Rusia, duke zgjeruar bashkëpunimin e dy vendeve, Mitsotakis dhe Radev ranë dakord gjithashtu që prodhuesit grekë të energjisë të mund të depozitojnë gaz të lëngshëm në Bullgari, ndërsa kompanitë bullgare mund të përdorin terminalin grek të gazit natyror të lëngshëm në Revithoussa në perëndim të Athinës.

Vjet Athina rriti dërgesat e gazit natyror të lëngshëm (LNG), kryesisht nga Shtetet e Bashkuara dhe Egjipti dhe tashmë dëshiron të bëhet një nyje kryesore tranziti evropiane për gazin, falë infrastrukturës së re në zhvillim dhe një shume prej 1 mld euro që do të shpenzojë për të zgjeruar kapacitetin e rrjetit deri në vitin 2032, duke mundësuar të katërfishojë kapacitetin e saj të eksportit të gazit në vendet fqinje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA