“Toka, dënim me vdekje”/ Rritet niveli global i deteve, OKB jep alarmin: Pasoja për të gjithë!

15/02/2023 12:52

Niveli i deteve është rritur me shpejtësi që nga vitet 1900, dhe pasojat nuk janë aspak për t’u nënvlerësuar. Vende si Holanda, Bangladeshi, Kina e India rrezikohen në mënyrë të drejtpërdrejtë sipas kreut të OKB-së, e kjo përfshin 900 milionë njerëz që jetojnë në zonat e ulëta bregdetare.

Në një fjalim në mbledhjen e parë të Këshillit të Sigurimit mbi kërcënimin ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare nga rritja e nivelit global të detit, Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres deklaroi se ritmi i rritjes është i ndjeshëm, e duket se në këtë pikë, ai nuk do të frenohet dot sa duhet edhe nëse ngrohja globale kufizohet “mrekullisht” në 1.5 gradë Celsius, një objektiv ky i dëshiruar, por që duket mjaft i vështirë për t`u zbatuar ndërkombëtarisht.

“Toka është në një pikë që vlerësohet si “një dënim me vdekje” për vendet që preken nga rritja e nivelit te deteve, duke përfshirë këtu  dhe shumë kombe të vogla ishullore. Nega-qytetet në çdo kontinent do të përballen me efekte serioze, duke përfshirë Kajron, Lagosin, Bangkokun, Mumbain, Shangain, Kopenhagenin, Londrën, Los Anxhelesin, Nju Jorkun, Buenos Airesin dhe Santiagon”, tha sekretari i OKB-së, Antonio Guterres.

Nëse temperatura mesatare e planetit rritet me 2 gradë Celsius, atëherë sipas Guterres, rritja e nivelit të detit mund të dyfishohet. Ai citoi për këto pohime një raport të Organizatës Botërore të Meteorologjisë, ndërsa nënvizoi se që pas 1900-tës, ky fenomen ka qenë më i ndjeshëm se në çdo shekull të mëparshëm në 3.000 vitet e fundit.  Sipas të dhënave të cituara nga Guterres, niveli mesatar global i detit do të rritet me rreth 2 deri në 3 metra gjatë 2 mijë viteve të ardhshme, edhe nëse ngrohja kufizohet në 1.5 gradë Celsius.

Ndërsa me një rritje prej 2 gradësh Celsius, niveli i deteve mund shtohet deri në 6 metra, dhe me një rritje prej 5 gradëve Celsius, detet mund të ngrihen deri në 22 metra.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA