Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, dekoroi z. Richard Grenell, ish i dërguar i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi, për, siç u tha “kontributin në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit paqësor dhe marrëdhënieve miqësore ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara”.

Presidenti serb i cili i ndau këtë dekoratë zotit Grenell në ditën e shtetësisë ss Serbisë tha se zoti Grenell “është një nga njerëzit që jo rrallë është përpjekur të ketë një qasje shumë të drejtpeshuar që është jashtëzakonisht e rëndësishme për vendin tonë sa i përket Kosovës. A mendon ai ndryshe nga ajo që mendon administrata amerikane? Jo tërësisht, por ka qenë gjithmonë i gatshëm të dëgjojë palën serbe”, tha presidenti i Serbisë.

Faleminderit presidentit serb Aleksander Vuçiç, gjithë qeverisë serbe dhe popullit të Serbisë për këtë çmim të madh”, shkroi ndërkaq zoti Grenell, duke shpërndarë pamje nga një ceremoni në Beograd ku atij iu ndaj Urdhri i Flamurit.

Në vitin 2019 ish presidenti amerikan Donal Trump emëroi zotin Grenell të dërguar të posaçëm për bisedimet Kosovë – Serbi, ndërsa shërbente si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Berlin.

Ai përqendroi përpjekjet për një normalizim marrëdhëniesh ekonomike ndërmjet palëve dhe në vitin 2020 u përplas me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, që drejtonte qeverinë e koalicionit me Lidhjen Demokratike.

Mospajtimet nxitën përçarje në koalicionin qeverisës të cilat çuan në rënien e qeverisë së parë të zotit Kurti.

Zoti Grenell ndërmjetësoi një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet palëve që u nënshkrua me 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e ish presidentit Donald Trump.

Ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas marrëveshjes së 4 shtatorit nderoi me urdhrin më të lartë shtetëror – Urdhrin e Lirisë – presidentin Donald Trump, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij për lirinë e Kosovës, forcimin e paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA