Sulm me dronë pranë kufirit me Venezuelën, gjashtë ushtarë të vrarë, dhjetëra të plagosur në Kolumbi
Japonia tha të martën se dyshon “fuqishëm” se tre balona spiunazhi kineze kanë hyrë në hapësirën e saj ajrore midis viteve 2019 dhe 2021.
Ministria tha se i kishte kërkuar qeverisë kineze të “konfirmonte faktet në lidhje me këtë çështje përmes kanaleve diplomatike” dhe kërkoi me forcë që kjo të mos ndodhte më.
Pekini hodhi poshtë akuzat e Tokios të mërkurën.
“Ne e kundërshtojmë me vendosmëri fushatën shpifëse të palës japoneze kundër Kinës në mungesë të provave përfundimtare”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin në një konferencë.
Akuzat japoneze vijnë pasi një balone kineze fluturoi mbi Shtetet e Bashkuara në fillim të këtij muaji, e cila u rrëzua nga një avion i Forcave Ajrore të SHBA-së në brigjet lindore pranë Karolinës, ku pretendohet se ishte pjesë e një programi të madh të mbikëqyrjes ushtarake kineze.
Wang, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, akuzoi Tokion se ka rënë në hap me Uashingtonin me akuzat e tij të reja.
“Japonia duhet të mbajë një pozicion objektiv dhe të paanshëm dhe të ndalojë së ndjekuri SHBA-në duke u angazhuar në spekulime të qëllimshme”, tha Wang.
Ministria japoneze e Mbrojtjes paralajmëroi në deklaratën e saj se do të “përpiqet të mbledhë dhe monitorojë” çdo balonë që ka hyrë në hapësirën ajrore të Japonisë pa leje.
Ministri i Mbrojtjes Yasukazu Hamada tha gjithashtu se mund të rrëzonin ndonjë balonë të paautorizuar për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve.
Top Channel