Shpresa për gjetjen e të mbijetuarve nën rrënojat e tërmetit në Turqi sa vjen e zbehet me kalimin e orëve, por ajo nuk është shuar, dhe shpëtimet e çdo dite vazhdojnë të mbeten një shtysë e fuqishme për ekipet e shpëtimit që të mos dorëzohen në garën me kohën.
Gazetarja turke Ezgi Toper rrëfen se në mjaft zona të prekura nga tërmeti, spitalet janë kthyer në qendra për dhënien e ndihmës së parë. Me kalimin e kohës, shpresat për të gjetur ende njerëz të gjallë nën rrënoja po pakësohen, por edhe sot thotë ajo, ende janë gjetur të mbijetuar, e në disa prej atyre momenteve fatlume, ka qenë e pranishme edhe vetë.
“Shpresa është më e ulët çdo sekondë që kalon, por unë vetë kam qenë dëshmitare e shumë shpëtimeve, kështu që mendoj se ne si vend ende po e mbajmë shpresë; të afërmit me të cilët kam folur vazhdojnë të kenë ende shprese edhe pse nuk kanë kontaktuar me personat e mbetur nën rrënoja, sërish ekziston ende mundësia që ata të jenë gjallë. Mendoj se ishte një tërmet në Japoni, nëse nuk gaboj, ku dikush u shpëtua pas ditës së nëntë, kështu që do të shpresojmë çdo ditë që kalon edhe për pjesën tjetër të javës”.
Toper shpjegon se vullnetarë të ekipeve të shumta janë duke shpërndarë ndihma për familjet në nevojë. 10 ditë nga tërmeti, situata në terren sipas saj, është mjaft e rëndë, megjithëse vullnetarë dhe ekipe të vendeve të ndryshme po përpiqen të shpërndajnë ndihma të ndryshme. Në spitale sakaq, ndërhyrjet e planifikuara kirurgjikale janë ndërprerë.
“Unë dhe kolegu im mundëm ta vizitonim një spital, Spitalin Shtetëror publik në provincën e Gaziantepit, e cila është një nga provincat që u godit më rëndë nga tërmeti. Në këtë spital na thanë se kishin ndërprerë të gjitha operacionet, gjithçka tjetër, dhe për momentin po fokusoheshin vetëm te Ndihma e Parë. Pra, kushdo që po hynte atje pranohej vetëm nëse ishte viktimë e tërmetit, asnjë pacient tjetër, dhe vetëm ndihma e parë është dhënë sepse kishte kaq shumë të plagosur sa që stafi në shumicën e rasteve, nuk e përballonte dot fluksin e të lënduarve që mbërrinin. Kështu që i është dashur t’i transferojnë pacientët në spitale të ndryshme ku ka më shumë pajisje, më shumë staf por edhe në lokacione më të sigurta për shkak se pasgoditjet e tërmetit vazhdojnë ende”.
Top Channel