Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të udhëtojë në Turqi, Gjermani dhe Greqi nga 16 deri më 22 shkurt.
Gjatë këtij turneu, ai do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, por edhe do të shohë nga afër përpjekjet e SHBA-së për të ndihmuar autoritetet turke pas tërmeteve që goditën Turqinë dhe Sirinë, tha Departamenti amerikan i Shtetit.
Blinken do të vizitojë bazën ajrore Inçirlik në jug të Turqisë më 19 shkurt, “për të parë nga afër përpjekjet e SHBA-së për të ndihmuar autoritetet turke në përgjigje ndaj shkatërrimit nga tërmetet e 6 shkurtit”, tha zëdhënësi i DASH-it, Ned Price.
Nga tërmetet prej 7.8 dhe 7.5 ballësh të 6 shkurtit – që u pasuan nga qindra dridhje të tjera të tokës – në Turqi dhe Siri vdiqën mbi 38 mijë persona.
Ndërkaq, në Greqi, Blinken do të zhvillojë bisedime me kryeministrin e shtetit, me ministrin e Jashtëm dhe me liderët e opozitës, tha Price.
Më 21 shkurt, Blinken do të lansojë rundin e katërt të Dialogut Strategjik SHBA-Greqi, shtoi zëdhënësi i DASH-it.
Top Channel