Dy avionë luftarakë holandezë F-35 u vunë në gatishmëri për të identifikuar dhe përgjuar tre avionë që fluturonin pranë kufirit ruso-polak, sipas Ministrisë holandeze të Mbrojtjes.
“Aeroplani i paidentifikuar në atë kohë iu afrua zonës së përgjegjësisë polake të NATO-s nga Kaliningrad”, tha ministria në një deklaratë.
“Pas identifikimit, rezultoi se ishin tre avionë: Një rus IL-20M Coot-A që po shoqërohej nga dy SU-27 Flankers. F-35 holandez shoqëruan formacionin nga distanca dhe ia dorëzuan raportin partnerëve të NATO-s”.
Tetë avionë holandezë F-35 janë me bazë në Poloni për muajt shkurt dhe mars – gjysma për patrullimet e NATO-s dhe gjysma për një program trajnimi.
Ministria e Mbrojtjes e Polonisë ka reaguar dhe ka konfirmuar operacionin. “F-35 holandez të stacionuar në bazën e 22-të taktike ajrore në Malbork u vu në gatishmëri në 13 shkurt për të identifikuar dhe përgjuar 3 avionë rusë që po operonin pranë hapësirës ajrore polake,” tha Ministria polake e Mbrojtjes në një deklaratë për CNN.
Ministria e Mbrojtjes tha se avionët luftarakë F-35 po operonin mbi ujërat ndërkombëtare dhe hapësira ajrore polake nuk ishte shkelur.
“Operacioni u realizua si pjesë e Policimit Ajror të Përforcuar të NATO-s, i cili inspekton krahun lindor të NATO-s. Ky ishte një operacion standard i realizuar në këtë lloj situatash“, shtohet në deklaratë.
Top Channel