Arrestohen dy protestues, në kërkim 30-vjeçari për lëndimin e dy policëve

14/02/2023 15:08

Vetëm pak minuta pasi përfundoi protesta 2 orëshe e opozitës para Parlamentit policia rrethoi vendin si skenë krimi dhe mblodhi të gjitha provat material të lana pas nga hedhja e kapsollave dhe flakadanëve.

Nga përdorimi i këtyre mjeteve piroteknike u lënduan lehtë dy punonjës policie. Nga vëzhgimet në terren dhe nga pamjet e kamerave të sigurisë policia identifikoi si përgjegjës për këto akte dy persona të cilët u vunë në pranga.

Policia arrestoi 19-vjeçarin Dorison Petokun dhe 36-vjeçarin Jakup Stafa i cili rezulton me precedent të mëparshëm penal dhe rezultonte i shpallur në kërkim nga komisariati i Krujës për veprën penale të kanosjes.

Një 16-vjeçar që po ashtu u kap duke hedhur kapsolla drejt policisë u procedua në gjendje të lirë për shkak të moshës ndërsa një 30-vjeçar u shpall në kërkim.

Përveç arrestimeve policia po vijon verifikimin e pamjeve të kamerave të sigurisë për të identifikuar personat që kanë kryer veprime të dhunshme në protestat e opozitës. Ndërkohë vijon puna për hartimin e planit të masave antitubim si dhe identifikimin e personave me precedent penalë apo që kanë prirje të dhunshme që mund të marrin pjesë në protestat e ardhshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA