Kryeqytetasit fitojnë ndaj Bylisit duke e fundosur më tej në zonën e ftohtë.

Partizani regjistron fitoren e parë në kampionat për vitin 2023, duke mundur në transfertë me rezultatin minimal 0-1 Bylisin. “Demat” kishin marrë 2 pikë në pesë ndeshjet e fundit, duke lëshuar terren në garën për vendin e parë, por në Ballsh më në fund arritën të marrin maksimumin e pikëve.

Pjesa e parë ishte e kujdesshme, me Partizanin që ishte më kërkues dhe kishte më shumë iniciativë, megjithatë e pati të vështirë për të shënuar. Në pjesën e dytë Collella bëri lëvizjet e tij dhe një nga lojtarët e aktivizuar nga stoli i dha fitoren. Alfred Mensah i aktivizuar në të 70-tën, shtatë minuta pasi ishte futur në lojë, ktheu në gol një harkim të Hadrojit.

Deri në fund rezultati nuk ndryshoi më, me Partizanin që shkon në kuotën e 34 pikëve duke u pozicionuar në vendin e tretë, në të njëjtën kuotë me Vllazninë e vendit të dytë. Në krahun tjetër Bylisin mbetet në vendin e parafundit me 20 pikë, duke rrezikuar gjithnjë e më shumë në fundin e tabelës. Në takimet e javës së ardhshme, Partizani do të presë Erzenin, ndërsa Bylis viziton Laçin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA