Për herë të parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka treguar përmbajtjen e propozimit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi.
Ai tha se ky plan është i tipit të marrëveshjes me njohjen de facto në mes të dyja vendeve.
“E dyta, plani nuk ka asnjë referencë të një asociacioni, megjithëse i referohet marrëveshjeve të Brukselit në tërësinë e tyre. Dhe e treta, tash kur do të lindin pyetjet për asociacionin do të jetë në procesin e negocimit të planit të zbatimit, aty qëndrimi im është që asociacioni mund të konsiderohet nëse plotësohet, gjashtë pikëshi apo gjashtë kushtet që i kam paraqitur para jush”, u shpreh Kurti.
Madje, Kurti tha se në vizitën e janarit emisarët ia bënë të qartë se plani evropian është i tipit “merre ose lërë”.
Opozita ka qenë kritikuese ndaj shefi të Qeverisë duke theksuar se Kurti me veprimet e tij është larguar nga njohja reciproke.
“Qeveria e ka sjellë një situatë politike pas veprimeve të gabuara në veri, ku Asociacioni kërkohet para marrëveshjes dhe pa njohje. Asociacioni çdoherë ka qenë i lidhur me marrëveshjen finale dhe me njohjen”, tha Enver Hoxhaj – deputet, PDK.
“Janë dy rrugë që i kemi përpara, një ta zhbëni këtë marrëveshje ndërkombëtare, dy ta implementoni sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Të tjerat janë lojëra fjalësh për debate e konsume popullsitë në vend”, u shpreh Lumir Abdixhiku – deputet, LDK.
Me gjithë kritikat, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dalë në përkrahje të planit të Bashkimit Evropian.
“Kemi konfirmim direkt nga SHBA-ja, se me këtë marrëveshje që do të përkrahemi për partneritet për paqe dhe për rrugëtimin tonë drejt NATO-s. Për mua, plani Franko-Gjerman është i pranueshëm, përkrahet nga unë dhe ka të bëjë me komponentët tonë kryesore, ecjen drejt NATO-s”, deklaroi Ramush Haradinaj – deputet, AAK.
Plani i Bashkimit Evropian, sipas kreut të ekzekutivit të Kosovës, përmban edhe parimin e reciprocitetit me Serbinë edhe në të drejtat e pakicave, anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, formalizimi i statutit të Kishës Ortodokse Serbe, shkëmbimin e zyrave të përhershme mes dyja vendeve dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në Bruksel.
Top Channel