Ministri i Jashtëm grek në Turqi, e pret me përqafime homologu Çavusoglu/ Viziton zonat e prekura nga tërmeti

12/02/2023 09:59

Në Adana të Turqisë ka mbërritur mëngjesin e së dielës ministri i Jashtëm grek Nikos Dhendias, i cili gjatë gjithë javës së kaluar ka qenë në një turne vizitash në Amerikën Latine.

Ai është pritur nga homologu i tij turk Mevlut Çavusoglu me një përqafim dhe pas një takimi rreth gjysmë ore që kanë pasur, të dy kanë fluturuar me helikopter drejt Antiokias, një prej zonave më të shkatërruara nga tërmetet vrastare të së hënës së kaluar.

Vizita e Dhendias në Turqi është bërë e ditur nga Ministria e Jashtme herët në mëngjes, ndërsa burime qeveritare kanë bërë me dije se detajet e udhëtimit janë biseduar mes Athinës dhe Ankarasë mbrëmjen e së shtunës.

Nikos Dendias është ministri i parë i Jashtëm europian që viziton Turqinë pas goditjeve nga tërmetet dhe i dyti në përgjithësi, pas atij të Azerbajxhanit, duke treguar kështu mbështetjen e Greqisë në momentin më të vështirë për vendin fqinj.

Ministri i Jashtëm grek, i cili do të shoqërohet nga Mevlut Çavusoglu gjatë gjithë vizitës së tij, do të takohet me anëtarët e misionit Hellenic Aid, i cili operon në zonat që kanë pësuar dëme katastrofike nga tërmetet.

Gjithashtu, ai do të vizitojë Qendrën Operative në Antioki dhe do të informohet për zhvillimet më të fundit, që kanë të bëjnë me përpjekjet e shpëtimit dhe evakuimit, si dhe nevojat e krijuara për ndihmë humanitare.

Në kuadër të kësaj vizite do të shqyrtohen edhe mënyrat e ndihmës së mëtejshme të Greqisë në përballimin e pasojave shkatërruese të tërmeteve.

Dhendias ka udhëzuar Përfaqësinë e Përhershme greke në Gjenevë që të ndërmarrë veprime për të ofruar ndihmë humanitare urgjente përmes OCHA (Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare) për Turqinë dhe Sirinë.

Gjithashtu, zëvendësministri i Jashtëm grek, Andreas Katsaniotis, ka marrë përsipër koordinimin e organizatave dhe individëve që dëshirojnë të ndihmojnë në grumbullimin e ndihmave humanitare për zonat e prekura në Turqi dhe Siri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA