Sicilia në darën e acarit, komuna të izoluara, shpëtohen dhjetëra persona

10/02/2023 12:26

Parashikimet e një dite më parë, që jepnin alarmin e kuq përgjatë ditës së sotme për pothuajse të gjithë Sicilinë, u bënë realitet.

Ishulli Italian është në darën e motit të keq, me stuhi të dhunshme, det të trazuar e madje deri dhe një uragan të mirëfilltë mesdhetar. Shkollat janë mbyllur në pjesë të ndryshme të ishullit, veçanërisht në provincën e Katanias dhe Sirakuzës.

Në Katania, ku reshjet e shiu nuk kanë të ndalur, ekipet e emergjencës bënë 44 ndërhyrje për dëme të shkaktuara nga përmbytjet, për pemë e shtylla të pasigurta, ndërsa u përfshinë edhe në shpëtimin e katër personave të bllokuar në një makinë.

Gjatë natës, erërat e forta bllokuan funksionimin normal të aeroportit ndërkombëtar Vincenzo Bellini duke detyruar devijimin e disa fluturimeve, dhe vonesa të mëdha në disa të tjera.

Mbi 200 ndërhyrje të punonjësve të mbrojtjes civile u shënuan në total atje, në Raguzë e në Sirakuza, ku janë shpëtuar rreth 20 persona të cilët ishin izoluar për shkak të një vërshimi të beftë të ujërave. Shkaku i kësaj situate konsiderohet një ciklon i mbërritur nga Tunizia me një “bërthamë të ngrohtë” , që do të thotë me temperaturë më të lartë në qendër të vorbullës sesa në pjesët e jashtme të saj.

Përplasja e frontit të acartë rus me të ngrohtin tunizian në një det ende relativisht të ngrohtë, sipas ekspertëve favorizon dhunën e një cikloni me tipare tropikale, ndaj dhe meteorologët italiane parashikojnë një rrezik dallgësh deri në 6 metra të larta në brigjet e ishullit qe lagen nga ujerat e detit Jon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA