Sipas njoftimeve nga agjencitë ruse të lajmeve, zëvendëskryeministri rus, Aleksandr Novak, njëherësh ministër i Energjisë, paralajmëroi se ekziston një rrezik potencial i rënies së prodhimit të naftës në Rusi gjatë vitit 2023.
Arsyet pas kësaj rënieje të mundshme janë presioni dhe embargoja e Bashkimit Evropian, si dhe kufiri i çmimit i vendosur nga shtetet e G7-s (Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara) për naftën ruse.
Pavarësisht pritshmërive për një rënie të prodhimit të naftës për shkak të sanksioneve perëndimore për shkak të luftës në Ukrainë, prodhimi i naftës ruse në fakt u rrit me 2% në vitin e kaluar, në 535 milionë tonë, ose 10.7 milionë fuçi në ditë.
Kjo ngritje ishte kryesisht për shkak të rritjes së shitjeve në vendet aziatike, veçanërisht në Indi dhe Kinë.
Sanksionet e SHBA-së, BE-së dhe vendeve të tjera kundër Rusisë kanë shkuar vazhdimisht duke u rritur. Sot janë në fuqi një varg sosh – nga ndalimi i mallrave dhe shërbimeve ruse deri te bllokimi i transaksioneve të saj financiare.
Dhjetëra kompani ndërkombëtare po ashtu kanë pezulluar tregtinë në Rusi, ose janë tërhequr fare. Nga disa media në SHBA, sanksionet janë cilësuar si më të rëndat dhe më të koordinuarat ndonjëherë nga Perëndimi.
Evropa, më 5 shkurt ka bërë një tjetër hap të madh drejt ndërprerjes së lidhjeve të saj energjetike me Rusinë, duke i ndaluar importet e karburantit dizel dhe të produkteve të tjera nga nafta e papërpunuar ruse.
Me këto veprime, blloku prej 27 vendesh po përpiqet ta kufizojë financimin e luftës ruse në Ukrainë, e cila po hyn në vitin e dytë./Rel
Top Channel