Grupet parlamentare finlandeze thanë të premten se mund t’i ratifikojnë traktatet themeluese të NATO-s gjatë javëve të ardhshme, një hap kyç në vazhdimin e anëtarësimit në aleancën ushtarake perëndimore, përpara Suedisë fqinje.
Dy vendet nordike, Finlanda dhe Suedia, kërkuan anëtarësimin në NATO menjëherë pas pushtimit rus të Ukrainës vitin e kaluar, dhe derisa shumica e vendeve anëtare kanë ratifikuar aplikimet e dy vendeve, Turqia kundërshton kandidaturën e Suedisë.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha në fund të janarit se Ankaraja mund ta pranojë anëtarësimin e Finlandës, pa Suedinë.
Duke u përballur me zgjedhjet e prillit, shumica e partive politike në Finlandë thanë se duan që parlamenti të votojë mbi traktatet përpara marsit. Kjo u diskutua prapa dyerve të mbyllua të premten në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit finlandez.
Diskutimet do të vazhdojnë javën e ardhshme, por është bërë përparim, tha për transmetuesin publik, Yle, kryetari i komisionit, Jussi Halla-Aho i partisë True Finns.
“Po krijohet një konsensus dhe besoj se do të ketë marrëveshje”, tha ai.
Legjislacioni duhet të dorëzohet më së voni deri më 20 shkurt, nëse parlamenti do të votojë përpara zgjedhjeve.
Por, dilema më e madhe është nëse Finlanda duhet të vazhdojë hapat tjerë drejt anëtarësimit pa Suedinë, apo duhet ta presë shtetin fqinj.
“Ekziston një pikëpamje e qartë në komision se vullneti ynë i përbashkët është që ofertat finlandeze dhe suedeze në NATO të avancojnë në të njëjtën kohë, por kjo nuk është një çështje që është plotësisht në duart tona”, tha kryetari i komisionit.
Kancelari i Drejtësisë i Finlandës, Tuomas Poysti i, tha se Finlanda ka pak hapësirë për të pritur Suedinë nëse është e nevojshme, por jo pafundësisht.
Turqia – si vend anëtar i aleancës me të drejtë vetoje – ka shtyrë për kohë të pacaktuar bisedimet e anëtarësimit.
Ankaraja ka refuzuar që të ratifikojë aplikimet e këtyre dy shteteve për në NATO, pikë së pari për shkak të refuzimit të Suedisë që të ekstradojë dhjetëra të dyshuar, që Turqia pretendon se janë të lidhur me luftëtarët kurdë dhe me puçin e dështuar të vitit 2016.
Suedia ka diasporë më të madhe kurde sesa Finlanda dhe ka më shumë mospajtime me Ankaranë.
Ankaraja po ashtu ka shprehur zemërim për vendimin e policisë suedeze që të lejojë një protestë, ku një ekstremist i krahut të djathtë dogji një kopje të Kuranit para Ambasadës turke në Stokholm më herët gjatë këtij muaji.
Po ashtu, Turqia ka shprehur zemërim lidhur me vendimin e gjyqësorit suedez që nuk ka ngritur aktakuzë ndaj një grupi pro-kurd që vari kokëposhtë një manekin që i ngjasonte Erdoganit para ndërtesës së një gjykate në Stokholm.
Suedia është aleati më i afërt mbrojtës i Finlandës. Në rast të një konflikti me Rusinë, me të cilën Finlanda ndan një kufi prej 1.300 km NATO-s do t’i duhej territori suedez për të ndihmuar Finlandën të mbrohej./ REL
Top Channel