Turqia dërgon ndihma në Siri, talebanët i çojnë ndihma të dy vendeve

09/02/2023 11:42

Autokolona e parë e ndihmës e nisur nga kufiri jugor i Turqisë po avancon drejt veri-perëndimit të Sirisë, zona më e prekur e vendit nga tërmeti i tmerrshëm i së hënës dhe pas lëkundjet e dhunshme të tij.

Nuk është e lehtë që ndihma nga jashtë të depërtojë në këtë pjesë të Sirisë, disa zona të të cilës kontrollohen nga rebelët kundërshtarë të regjimit të Bashar al Assadit.

Reuters thotë se autokolona me 6 kamionë mund të përbëjë vijën e hollë mes jetës e vdekjes për shumë njerëz atje, të cilët kanë dëshpërimisht nevojë për asistencë humanitare. Situata në zonë ishte e zymtë që përpara tërmetit, por tani është e dëshpëruar. Me qindra ndërtesa janë rrafshuar me tokën, e gati 2.000 vetë kanë humbur jetën.

Në mungesë të njësive të specializuara nga jashtë, vullnetarë siriane janë nisur vetë drejt zonave të prekura për të ndihmuar përpjekjet e shpëtimit. Një vajzë e vogël ishte ndër të fundit që u nxorën gjallë nga gërmadhat në Idlib. “Zoti është i Madh”, thirrën punonjësit e shpëtimit, teksa vogëlushja u shfaq pa asnjë dëmtim në trup.

Pas gati 12 vitesh luftë, rrugët e përdorura për dërgimin e ndihmës në vend janë mbyllur gradualisht me kalimin e kohës. Bab al-Haëa është sot  vetmja pikë e hapur kalimi në territoret e kontrolluara prej rebelëve, dhe kjo, falë një mandate të posaçëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Por edhe pse ajo mbetet e hapur, nga ana logjistike megjithatë, kalimi i ndihmës atje konsiderohet jashtëzakonisht i vështirë, sepse për shkak të situatës politike, kamionët nuk kalojnë dot në këto zona pa lejen e posaçme të Damaskut zyrtar. Kjo është dhe arsyeja, sipas korrespondentëve të huaj, përse po shohin ndihmat të vërshojnë nga e gjithë bota drejt Turqisë, por në Siri jo.

Ekspertë francezë e italianë po kërkojnë për të mbijetuar krah për krah kolegëve të tyre vendas në rrënojat e qyteteve të goditura në Turqi; Spanja e Meksika kanë dërguar trupa ushtarake për asistuar në përpjekjet e kërkim-shpëtimit, ndërsa ekipet izraelite u duartrokitën teksa nxorën të gjallë një djalë 2 vjeçar nga mbetjet e banesës së tij. Si Turqisë, ashtu edhe Sirisë sakaq u ka mbërritur edhe një ndihmë e papritur: Administrata e talebanëve, grupi radikal që mori me forcë pushtetin në Afganistan, me talebane e Afganistanit ka vendosur të dërgojë atje rreth $165,000 ndihma humanitare, ndërsa është e gatshme të nisë edhe mjekë afganë e punonjës emergjence.

Top Channel