Nata e tretë pas tërmetit, me temperatura nën zero dhe një bilanc viktimash që vazhdon të rëndohet nga ora në orë: edhe pse shpresat për mrekulli mes gërmadhave i japin forcë ekipeve të shpëtimit, ata e druhen se po e humbasin garën me kohën.
“Kanë kaluar 72 orë tashmë- dhe kjo është pikërisht koha me gjasat më të mëdha që njerëzit të arrijnë të shpëtohen. I ftohti ekstrem sidomos gjatë natës, e ul në mënyrë drastike mundësinë e mbijetesës“- shprehet një punonjës.
Shqetësimi i organizatave të ndihmës tani janë njerëzit e mbetur jashtë, sëmundjet që mund t`i prekin, apo mungesa e ujit të pijshëm. Pa ujë, pa një strehë ku të hyjnë, pa energji elektrike apo karburant, Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk përjashton mundësinë që edhe njerëz, të cilët i mbijetuan tërmeteve, të humbin jetën tani. Sipas saj, ekziston rreziku i një katastrofe të dytë e cila të shkaktojë akoma edhe më shumë dëme sesa tërmeti fillestar.
“Gjendemi përballë një fatkeqësie që po shpaloset në një shkallë të gjerë dhe me një shtrirje të madhe gjeografike. Ka shumë të mbijetuar që kanë mbetur jashtë në natyrë, në kushte të tmerrshme, me ndërprerje të mëdha të furnizimit bazik me ujë, me karburant e energji elektrike, po edhe ndërprerjen e komunikimit. Me bazat e jetës me pak fjalë“- tha Robert Holden, menaxher i incidenteve, OBSH.
Si të mos mjaftonin ngricat, edhe qindra pasgoditje e kanë bërë veçanërisht të rrezikshme punën e njësive të shpëtimit në strukturat e paqëndrueshme. Mes dëshpërimit megjithatë, njerëzit gjejnë ende vend për shpresën.
“Presim që të ndodhë ndonjë mrekulli dhe prindërit e bashkëshortit të gjenden të gjallë. Presim dhe lutemi. E dimë që është e vështirë, por do të presim deri në fund.”
Sipas ekspertëve, më shumë se 90 për qind e të mbijetuarve të tërmetit shpëtohen përgjithësisht brenda tre ditëve të para. Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan vizitoi të mërkurën provincën e Hataitit, e cila është goditur rëndë, prej ku banorët kanë kritikuar përpjekjet e qeverisë, duke thënë se ekipet e kërkim-shpëtimit shkuan me vonesë.
Sipas agjencisë së menaxhimit të fatkeqësive, më shumë se 110,000 trupa të ekipeve të shpëtimit po marrin pjesë në përpjekjet për të shpëtuar sa më shumë jetë, dhe më shumë se 5,500 automjete, përfshirë traktorë, vinça, buldozerë dhe ekskavatorë janë dërguar në zonat e prekura nga tërmetet.
Top Channel