Gruaja e ekspertit të mbijetesës që u zhduk një vit më parë, beson se është ende gjallë: ‘Njerëzit nuk zhduken nga hiçi’ (fotot)

09/02/2023 15:35

Bashkëshortja e një eksperti mbijetese që u zhduk gjatë një shëtitjeje, thotë se shpreson ende ta gjejë pasi “njerëzit nuk zhduken nga faqja e dheut”.

Finn Creaney, baba i një fëmije nga Tain në zonat malore të Skocisë, nuk është parë që prej 25 marsit të vitit të shkuar, kur një i afërm e shoqëroi në një parking rulotash ku do të niste një ekskursion vetëm në natyrë.

Gruaja e tij Lucy, e krahason zhdukjen e bashkëshortit me rastin e zhdukjes së nënës së dy fëmijëve në Britani, zonja Nicola Bulley e cila nuk është parë më, dy javë pasi po shëtiste qentë në bregun e lumit në Lancashire.

“Së shpejti bëhen një vit prej zhdukjes së bashkëshortit tim Finn Creaney dhe unë kam besim se do ta risjell në shtëpi”, tha ajo për rrjetin Telegraph.

“Por ashtu si dhe familja e Nicola Bulley, kjo pasiguri është torturuese, nuk dihet kur do të mbarojë, por duhet të besojmë për gjetjen e personit të humbur. Njerëzit nuk mund të zhduken nga faqja e dheut”.

Zonja Creaney flet dhe për pasojat e ngjarjes te vajza e tyre pesë-vjeçare, të cilës i thotë: “Babi ka shkuar në një prej aventurave të tij”.

Finn Creaney – i cili drejtonte një shkollë mbijetese në botën e egër, u nis për ekskursionin e tij pranë liqenit Loch Naver më 25 mars.

Pas nisjes në ekskursion në mëngjes, celulari i tij kishte ndërprerë sinjalin në 12.50 kur i kishte shkruar bashkëshortes “Të dua shumë dhe jam krenar për ty”.

Policia vendase ka bërë kërkime të gjera në zonat malore por ai nuk është gjetur.

Zonja Creaney thotë se i dërgon mesazhe bashkëshortit me shpresë se ai do të përgjigjet.

“Unë besoj se Finn është ende gjallë, pasi asnjë nuk sugjeron se ai ka vdekur, megjithëse shumë kërkime janë bërë për të, në terren në ajër e në ujë”.

Zonja Creaney insiston se bashkëshorti i saj nuk do të zhdukej me dëshirën e tij, ndërsa e përshkruante si një burrë i dashur, bujar e i lumtur, madje dhe biznesi tij i shkollës së mbijetesës po rritej.

“Ne kemi nëntë vjet së bashku, u martuam në 2021, deh mezi prisnim të ardhmen tonë së bashku. Nuk është një krizë e shëndetit mendor, ata që sugjerojnë këtë nuk e njohin Finn siç e njoh unë”, thotë ajo.

Herën e fundit që u pa burri mbanë veshur një xhaketë lëkure ngjyrë kafe, këpucë të rënda deh një çantë shpine të gjelbër.

Ndërkohë kërkimet vazhdojnë në Britani për nënën e dy fëmijëve Nicola Bulley e cila u zhduk në mënyrë të mistershme më 27 janar pasi çoi në shkollë dy bijat e saj, ndërsa ishte nisur me qenin për një shëtitje.

FOTO GALERI
1/5
Bashkëshortja e një eksperti mbijetese që u zhduk gjatë një shëtitjeje, thotë se shpreson ende ta gjejë

Top Channel