Rrëzohet miti i deritanishëm mbi kafen, ja çfarë thotë studimi i ri

08/02/2023 18:34

Një kafe në ditë mund të jetë e mjaftueshme për të mbajtur mjekun larg.

Studiuesit kanë zbuluar se adhuruesit e kafesë priren të kenë presion më të ulët të gjakut dhe zemra më të shëndetshme. Dhe përfitimet mund të arrihen duke pirë vetëm një filxhan çdo mëngjes, pretenduan ata. Ekspertët italianë i përshkruan efektet pozitive të kafesë si ‘shumë të qarta’.

Gjetjet, nga një studim me më shumë se 1,500 njerëz, i shtohen numrit në rritje të provave që nxjerrin në pah përfitimet shëndetësore të pijeve. Disa kërkime e kanë lidhur atë me reduktimin e rrezikut të sëmundjeve të zemrës, dështimit të zemrës dhe goditjeve, ndërsa studime të tjera raportojnë se zgjat jetën. Por mjekët mbeten të ndarë, duke paralajmëruar se sasitë e tepërta të kafesë e mbushur plot me kafeinë në fakt mund të dëmtojnë zemrën.

National Health Service thotë se më shumë se katër filxhanë në ditë mund të rrisin presionin e gjakut. Megjithatë, studimi i ri, në revistën Nutrients, zbuloi se njerëzit që konsumonin këtë sasi kishin presion më të ulët të gjakut sesa ata që nuk pinë. Studimi i Universitetit të Bolonjës dhe Spitali Universitar i Bolonjës përfshiu 720 burra dhe 783 gra.

Ekspertët krahasuan nivelet e presionit të gjakut me zakonet e konsumimit të kafesë nga vullnetarët. Nga pjesëmarrësit, 220 (14.6 për qind) nuk pinin kafe, 406 (27 për qind) pinin një filxhan në ditë, ndërsa 726 konsumonin dy kafe çdo ditë. Rreth 99 vullnetarë pinë tre filxhanë, ndërsa 52 konsumuan më shumë se kaq çdo ditë.

Duhanpirësit aktivë u shpërndanë në mënyrë të barabartë midis nëngrupeve, duke i lejuar ekspertët të përjashtojnë atë shpjegim të mundshëm. Studiuesit zbuluan se presioni sistolik i gjakut (SBP) numri më i lartë “prirej të zvogëlohej” ndërsa numri i gotave të konsumuara rritej. Ata që pinin një filxhan në ditë regjistruan një SBP prej 1 mmHg mesatarisht më të ulët se sa ata që nuk pinë kafe, ndërsa njerëzit që konsumuan dy filxhanë panë një SBP prej 5.2 mmHg më të vogël.

Shkencëtarët gjithashtu raportuan se njerëzit që pinin tre filxhanë regjistruan një rënie mesatare të SBP prej 5 mmHg. Në përgjithësi, ata që konsumuan më shumë se tre filxhanë panë një SBP mesatare prej 9.7 mmHg më të vogël, krahasuar me ata që nuk pinë kafe. Por studiuesit nuk thanë se kjo ishte një sasi e mirë. Një presion ideal sistolik i gjakut, i cili tregon se sa presion po ushtron gjaku juaj kundër mureve të arterieve kur zemra rreh, është midis 90 dhe 120 mmHg, sipas NHS.

Ulje të ngjashme u panë për tre llojet e tjera të presionit të gjakut të studiuar. Njerëzit që pinin më shumë se tre filxhanë në ditë regjistruan ulje prej 6,9 mmHg në presionin e pulsit, 9,5 mmHg në presionin e gjakut aortik dhe 6,9 mmHg në presionin e pulsit të aortës, në krahasim me ata që nuk pinë kafe.

Ulja e presionit të gjakut mund të zvogëlojë ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare, duke përfshirë goditjet në tru dhe sulmet në zemër dhe ndihmon në mbajtjen e zemrës dhe enëve të gjakut në gjendje të mirë. Arrigo Cicero, një nga studiuesit, tha:

”Rezultatete janë shumë të qarta. Presioni i gjakut periferik ishte dukshëm më i ulët tek individët që konsumonin një deri në tre filxhanë kafe në ditë sesa tek ata që nuk pinin kafe. Ne e dimë se kafeina mund të rrisë presionin e gjakut, por përbërës të tjerë bioaktivë në kafe duket se e kundërbalancojnë këtë efekt me një rezultat përfundimtar pozitiv në nivelet e presionit të gjakut”.

Studiuesit pranuan se konsumimi i kafesë ishte vetë-raportuar nga vullnetarë, kështu që mund të ishte raportuar më pak, duke kufizuar gjetjet. Gjithashtu u vlerësua pa detajuar pjekjen e përdorur, metodat e përgatitjes apo nëse konsumohej e zezë, me qumësht apo krem. Ata që pinin më shumë se tre filxhanë në ditë u grupuan së bashku ‘për të krahasuar një grup subjektesh më të ekuilibruar’ pasi ishte një kategori relativisht më e vogël, vunë në dukje studiuesit.

Top Channel