Ka ngjallur polemika të mëdha në Itali reagimi i papritur i këngëtarit 19 vjeçar Blanco, i cili në mes të performancës së tij u sul e nisi të shkatërronte dekorin e luleve që zbukuronin skenën e Sanremos, festivali më i madh i muzikës në vend.

Ndjekësit e eventit të rëndësishëm muzikor e panë në transmetim live sesi Blanco nisi të godiste me shkelm trëndafilat e vendosur në Teatrin Aniston e thyente vazot me lule në tokë, në një shpërthim të dukshëm inati, i cili nga publiku, nuk u prit aspak mirë.

Këngëtari u përpoq t’ia justifikonte veprimet e tij prezantuesit dhe drejtorit artistik të festivalit Amadeus, me pretendimin se në mesin e performancës së tij, kishte pasur probleme me audion, të cilat mund t’i ndikonin në interpretimin e këngës së vet të re, “L’isola delle rose” dhe kjo gjë e irritoi pamasë.

“Nuk e dëgjoja veten në kufje”, tha Blanco, i cili së bashku me këngëtarin Mahmood fituan festivalin e Sanremos vitin e kaluar, “Por gjithsesi u argëtova”, shtoi ai.

“Ti në fakt bëre shumë rrëmujë”, i tha Amadeus këngëtarit, duke e quajtur gabimisht Salmo dhe duke i ofruar mundësinë për të performuar sërish në mbrëmje.

Ky propozim megjithatë, u prit me thirrje, fishkëllima dhe ofendime nga publiku, dhe në fund Blanco nuk u rishfaq. Këngëtari veteran italian dhe bashkë-prezantuesi i Sanremos, Gianni Morandi, 78 vjeç, nisi të pastronte skenën bashkë me disa perdosa të tjerë  e fotot e tij duke fshirë lulet e shkelura përdhe, u bënë virale në internet.

Më herët gjatë mbrëmjes, aktori Roberto Benigni i kushtoi një monolog kushtetutës italiane, për të shënuar 75-vjetorin e saj, në prani të Sergio Mattarellas, i cili u bë presidenti i parë i Italisë që merr pjesë në Sanremo në historinë 73-vjeçare të festivalit.

Konkursi i këngës, ngjarja më e madhe e showbizit italian të vitit, po zhvillohet në qytetin bregdetar në bregun veriperëndimor të Ligurias, me 28 artistë që garojnë mes tyre përgjatë pesë netëve nga data 7 deri në 11 shkurt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA