Figura të shquara iraniane diskutojnë për të ardhmen e demokracisë

08/02/2023 17:42

Tetë figura të njohura të opozitës iraniane kanë njoftuar se do të takohen këtë javë në Universitetin Georgetown në Uashington për të diskutuar të ardhmen e demokracisë në Iran, dhe për revolucionin për të drejtat e grave.

Ky takim vjen në mes të një vale protestash të qytetarëve, të nxitura nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini, kurdo-iranianes, sa ka qenë në mbajtje policore, me arsyetimin e nuk e ka vendosur si duhet mbulesën në kokë.

Gazetarja iraniano-amerikane, Masih Alinejad, ish-princi i kurorës në mërgim i Iranit, Reza Pahlavi, aktivisti Hamed Esmaeilion dhe aktivistja e të drejtave të njeriut, Nazanin Boniadi do të jenë të pranishëm në takimin e 10 shkurtit.

Katër të tjerë, përfshirë laureaten iraniane të Çmimit Nobel për Paqe, Shirin Ebadi, aktoren e njohur iraniane Golshifteh Farahani, udhëheqësin e Partisë iraniano-kurdistane Komala, Abdullah Mohtadi, dhe ish-kapitenin e ekipit kombëtar të futbollit të Iranit, Ali Karimi, do t’i bashkohen takimit online.

Sipas njoftimit të publikuar nga Universiteti Georgetown, këto tetë figura do të ulen së bashku në një takim të quajtur “E ardhmja e Lëvizjes për Demokraci të Iranit”.

Që nga vdekja e Aminit, protesta të përditshme janë zhvilluar nëpër Iran, duke rezultuar në arrestimin e shumë njerëzve, përfshirë kineastët, figura publike, gazetarë dhe aktivistë.

Të paktën 522 persona janë vrarë përgjatë katër muajve të protestave kundër Qeverisë së Iranit, sipas raportimeve të organizatës HRANA me bazë në Shtetet e Bashkuara.

Në mesin e të vdekurve janë 70 fëmijë dhe 68 zyrtarë policorë, ka thënë organizata të dielën.

Gati 20.000 persona janë arrestuar, prej tyre 110 kanë akuza që mund të rezultojnë me dënime me vdekje.

Top Channel