Një 44-vjeçar nga Gjakova e ka çuar në 11 numrin e të arrestuarve të policisë së Durrësit për tentativën e kalimit të paligjshëm në kufi të të miturve kosovarë që u paraqitën si ekip sportiv në kufi.
Policia njoftoi se ka vijuar operacionin policor të koduar “Ekipi”. Në kuadër të tij, në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Morinës është kapur dhe prangosur një shtetas i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni, të zhvilluar më 27 dhjetorin e kaluar.
Bazuar në inteligjencën informative, në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Morinës, është kapur në hyrje, në PKK Morinë, dhe është ndaluar shtetasi i shpallur në kërkim Muhamet Krasniqi 44 vjeç, banues në Gjakovë, Kosovë.
44-vjeçari ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Ekipi”, pasi në bashkëpunim me 10 shtetas të tjerë (të arrestuar gjatë këtij operacioni), tentuan të kalonin drejt Italisë, 16 shtetas të mitur të moshës 17-vjeçare, kundrejt fitimit 3000-4000 euro për secilin, duke i prezantuar ata si pjesë e një ekipi sportiv.
Ndaj tij Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Top Channel