Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier kërkoi t`i siguronte të dy vendet se “marrëveshja e përkohshme” do të sjellë përfitime të mëdha, si për për Prishtinën, ashtu dhe Beogradin.
“SHBA-ja është e inkurajuar dhe mirëpret vendimin e Kosovës që të pranojë në parim propozimin e BE-së dhe ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen tonë të plotë për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Marrëveshja e përkohshme do të sjellë përfitime të konsiderueshme si për Kosovën, ashtu edhe Serbinë”- shkroi ai në Twitter.
Deklarata një ditë më parë e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti se e pranonte propozimin europian, ka përbërë një ndryshim rrënjësor të qëndrimit të tij, teksa tha se e konsideron planin “një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”.BE-ja ia dorëzoi vitin e kaluar Kosovës dhe Serbisë propozimin, që njihet edhe si plani franko-gjerman.
Ai nuk është bërë ende publik, por media të ndryshme që kanë pasur akses në këtë drat thonë se aty parashikohen të drejta të barabarta për të dy vendet, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një pozicion i veçantë për komunitetin serb në Kosovë. Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara – për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë – por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimit europian.
Top Channel