I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, pritet të vizitojë të hënën Kosovën dhe Serbinë.

As këtë herë nuk janë bërë të ditura hollësitë e vizitës, vetëm se ai do të diskutojë me bashkëbiseduesit për hapat e ardhshëm të dialogut, sidomos për avancimin rreth propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes palëve, por edhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut.

Lajçak e ka vizituar Kosovën 10 ditë më parë, kur ka zhvilluar një darkë pune me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe kryenegociatorin e Kosovës në dialog me Serbinë, Besnik Bislimi.

Kohëve të fundit, zyrtarë të ndryshëm të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe kryediplomatin e BE-së, Josep Borell, kanë përshëndetur publikisht qëndrimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç për propozimin e BE-së.

Këtë plan të BE-së e përkrahin plotësisht edhe Shtetet e Bashkuara, andaj Kosova dhe Serbia janë ftuar disa herë që jenë konstruktive në qasjen ndaj këtij propozimi.

Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë u është dorëzuar Kosovës dhe Serbisë në fund të verës, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike.

Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në një version të tij, ku nuk përmendet njohja reciproke mes dy vendeve, por përkushtimi i tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Në të njëjtën kohë, Kosovës është duke iu shtruar trysnia për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Mekanizmi ndërkombëtar beson se Kosova e ka marrë këtë obligim në kuadër të marrëveshjeve të Brukselit dhe duhet zbatuar ato.

Kryeministri Kurti i ka prezantuar më 2 shkurt, gjashtë kushte për themelimin e Asociacionit, por BE-ja nuk i ka komentuar ato.

Sipas Kurtit, Asociacioni nuk mund të jetë njëetnik, ai duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, të ketë një emër tjetër dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive, të ketë të përfshirë parimin e reciprocitetit mes shteteve sa i përket të drejtave të pakicave kombëtare, bazuar në modelet evropiane.

Vuçiq, në anën tjetër, i ka konsideruar këto kushte si “përralla“.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA