Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç u përpoq të shfajësonte publikisht atë që e quajti “një gabim përkthimi”, pasi në njërin prej raporteve të publikuara në website-n e Qeverisë serbe ishte shkruar Republika e Kosovës.

Bërnabiç tha për Radio Televizionin e Serbisë tha se gabimi kishte ndodhur në përkthimin në gjuhën angleze. Ajo u shpreh me tone të ashpra se ky konsiderohet një gabim “i rëndë, i rëndë dhe i pafalshëm i përkthyesit”.

Edhe pse Kosova shpalli pavarësinë më 2008, Beogradi refuzon ta njohë dhe qëndrimi zyrtar i tij është se Kosova vazhdon të jetë ende pjesë e Serbisë. Shefja e ekzekutivit serb veshi me përgjegjësi edhe ekipin e zyrës për media në qeverinë serbe, duke paralajmëruar pasoja për personat që bënë këtë gabim.

Bërnabiç sqaroi se raporti është hequr menjëherë nga faqja e webit të qeverisë.

“Nuk më zinte gjumi mbrëmë, nuk e di se çfarë po bëj. Por, më vjen keq që kjo po përdoret nga opozita për të fituar pikë politike”, u shpreh ajo.

Kryeministrja serbe po ashtu foli edhe për vizitën e planifikuar e sotme të të dërguarit të Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak, në Prishtinë dhe Beograd. Bërnabiç theksoi se aktivitete të tilla diplomatike po shtohen dhe presioni po intensifikohet, duke shtuar se beson në garancitë e komunitetit ndërkombëtar sa përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ajo theksoi se nuk i intereson qëndrimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me këtë çështje. Kosova kundërshton themelimin e një asociacioni një-etnik, duke shprehur frikën se mund të krijohet një Republika Sërpska, si në Bosnjë e Hercegovinë.

Top Channel