Në asnjë vend tjetër të botës nuk prodhohen kaq shumë automjete për frymë popullsie. Por përdorimit të motorëve me karburant po i vjen fundi, gjë që vë në rrezik vendet e punës. Si po e menaxhon Sllovakia këtë ndryshim?
Numri i tyre është duke u rritur gjithnjë e më shumë, numri i targave ngjyrë gurë kali, që jepet për makinat elektrike. Makina elektrike nuk kanë të gjithë në kryeqytetin sllovak Bratislavë, megjithatë ato shihen gjithnjë e më shpesh në rrugë. Për çdo makinë të re krejt elektrike, qeveria jep 8 mijë euro, dhe krijimi i infrastrukturës për mbushjen e makinës ndihmohet me investime disa milionëshe. Megjithatë Sllovakia është ende në fillimet e kalimit tek makinat e elektrike dhe kjo vlen të thuhet edhe për industrinë e makinave në vend.
Në vitin 2021, në Sllovaki u prodhuan rreth një milionë makina të reja, një shifër rekord në të gjithë botën, matur me numrin e popullsisë prej 5,4 milionë banorësh. Industria e makinave prodhon 13 përqind të prodhimit të brendshëm bruto në vend, pra tri herë më shumë se në Gjermaninë e njohur si “vend i makinave”. Makinat e prodhuara janë kryesisht për tregun e brendshëm europian: Makinat përbëjnë 33 përqind të eksporteve sllovake të mallrave. Industria e makinave është motori i ekonomisë sllovake, dhe ky motor është vënë deri tani në lëvizje nga karburante me bazë fosile, të cilat janë të dëmshme për mjedisin.
Makinat elektrike janë duke ardhur- por a e kanë marrë edhe ekonominë me vete?
Pas vitit 2035, në Bashkimi Europian do të lejohen vetëm makinat e reja që nuk çlirojnë dioksid karboni. Deri sa të vijë ajo ditë, prodhuesit që duan të vazhdojnë të shesin makina në BE, duhet të ndryshojnë prodhimin, që do të thotë se duhet të prodhojnë makina me bateri elektrike.
Makina e parë krejt elektrike në Sllovaki, që kaloi në prodhim seri në vitin 2013, ishte makina e vogël e-up! e prodhuar nga Volkswageni. Një zëdhënëse e uzinës në Bratislavë i tha Deutsche Welles se në vitin 2021 janë shitur 41500 makina, nga gjithsej gati 309 000 makina të prodhuara. Të dhënat për 2022 nuk janë bërë të ditura. “Përveç kësaj ne kaluam vitin e kaluar në hibridizimin e paleteve të modelit SUV”, shkruan zëdhënësja, që le të kuptohet se gjithë modelet e tjera janë prodhuar me motorë që djegin karburante.
Motorët elektrikë janë më të thjeshtë për t’u prodhuar se motorët e tjerë. Atyre u duhen më pak elementë, më pak procese pune dhe më pak personel. Prandaj në Sllovaki është duke u afruar një rrezik ekonomik: “Në rastin më të keq, prodhimi i brendshëm bruto do të jetë dhjetë përqind më i ulët se në rastin më të mirë,” thuhet në një studim të bërë në vitin 2020 nga instituti Globsec, në të cilin analizohet transformimi i sektorit të prodhimit të makinave në këtë vend të Europës Qendrore, deri në vitin 2040. Rasti më i mirë do të sillte tetë mijë vende të reja pune, e rëndësishme është që në këtë vend të prodhohen edhe komponentët bazë të makinave siç janë bateritë për makinat elektrike.
“Çdo vend ose çdo fabrikë do ishte e gëzuar të prodhonte makinat më moderne të flotës,” thotë Radovan Durana nga Instituti i Studimeve Ekonomike dhe Sociale në Bratislavë. “Por, nëse për shembull Volkswagen vendos që t’i prodhojë makinat elektrike në Gjermani, atëherë ne në Sllovaki nuk kemi çfarë të bëjmë”. Kështu, modelet elektrike të Volkswagenit,
ID.3 dhe ID.4 prodhohen në Zvickau të Saksonisë dhe për modelin e-up! bateritë prodhohen në Braunshvajg ndërsa motorët prodhohen në Kasel.
Në konkurencën e lokacioneve intra- europiane, Durana mendon se nuk ia vlen t’i joshësh investitorët me favorizime të mëdha: “Ata do vijnë sidoqë të jetë, nëse janë të mendimit se ia vlen ekonomikisht që të përqëndrosh aktivitetin në këtë rajon.” Në bisedë me Deutsche Wellen, Durana thotë se ekziston rreziku që perspektiva të shihet ngushtë lidhur vetëm me Sllovakinë. Këtu bëhet fjalë për një rajon të tërë që përfshin edhe Çekinë, Hungarinë dhe pjesë të Polonisë. Këtu kanë vendin edhe shumë furnizues dhe këtu gjendet edhe fuqia punëtore e kualifikuar.
Shpresa të mëdha zgjoi në verë një njoftim i Volvos: Prodhuesi suedez i makinave kërkon të ngrejë në lindje të Sllovakisë një uzinë speciale për makinat elektrike, duke marrë kështu në dorë 1,2 miliardë euro, 20 përqind e të cilave vijnë nga subvencionet publike. Mbas vitit 2026 do prodhohen këtu 250 mijë makina në vit. Uzina e Volvos mund të kontribuojë në sheshimin e diferencave ekonomike midis perëndimit dhe lindjes më pak të industrializuar të vendit.
Një shpresëdhënës me një sallë të madhe dhe vizione edhe më të mëdha
Një shpresëdhënës tjetër do duhet ta tregojë veten fillimisht në treg: Firma start-up nga Sllovakia, InoBat, do të prodhojë bateri për kërkesa speciale, si për autobusë, makina sportive, avionë. Kush do që të shkojë tek fabrika e ardhshme, i duhen koordinatat e sallës që ndodhet në një zonë industriale të Voderady-t, një orë larg me makinë në verilindje të Bratislavës, por fabrika nuk është përfshirë ende në asnjë hartë. Në pjesën e brendshme të një salle të madhe fabrike, një rrugë ndan dy sektorët për dy polet e kundërta të baterive: majtas do të prodhohet anoda për çdo bateri, djathtas, katoda. Punëtorët janë duke derdhur një shtresë speciale mbi gurët e dyshemesë, për të penguar ngarkesat elektrostatike. Më vonë këtu do të punohet në kushte steriliteti, por para se të ndodhë kjo duhet të vijnë makinat e prodhimit nga Kina.
Themeluesi i firmës dhe drejtori ekzekutiv, Marian Bocek është ulur në një tavolinë me kafe dhe biskota, rreth tij janë mbledhur punonjësit drejtues. “Për mua bateritë janë siç ka qenë internet në vitet 90-të,” thotë Bocek. “Ato janë pionerë të vërtetë, pa to nuk funksionon tranzicioni i energjisë. Bateritë janë baza e ndryshimit industrial.”
InoBat do që të ofrojë në Voderady të gjitha proceset në një hapësirë sa më të vogël: Direkt krah sallës së prodhimit është ngritur një laborator provash, ku inxhinierët do të merren me studimin e përbërjes optimale të baterive për sektorët e ndryshëm të përdorimit. Planet përfshijnë po ashtu krijimin e një impianti riciklimi, që mbas tremujorit të dytë të vitit 2024, do të shpërbëjë në pjesë të vlefshme përbërëse, bateritë e prodhuara me gabime dhe prototipet. Ky është vendi i vetëm në Europë, ku gjithçka ndodhet në një rreze prej 200 metrash, thotë Bocek.
Bateritë e para do të prodhohen në tremujorin e dytë të 2023, por Bocek mendon për më shumë se 500 milionë eurot, që InoBat, siç thotë vetë ka ende në librat e porosive: Direkt pranë Voderady-t do të krijohet një fabrikë shumë e madhe, në Europën Lindore dhe Qendrore janë duke u zhvilluar bisedimet për fabrika të tjera, dhe në SHBA do të ngrihet po ashtu një fabrikë, që do të ndihmohet nga programi gjigand i subvencioneve ekonomike të planifikuar nga qeveria e Bidenit.
E ardhmja e “Danube Tech Valley”
Bocek, i lindur në Sllovaki ka qenë për një kohë të gjatë bankier investimesh në SHBA, dhe megjithëse ka kohë që ai mendon për më shumë se sa për vendin e vogël të lindjes, ai mendon se është logjik vendimi që ta hedhë këtu hapin e parë: “Kjo është si Shenzhen-i i Europës, me shumë prodhues makinash në një hapësirë të vogël.”
Dhjetë minuta larg Voderady-t, ndodhet Jaguar/Landrover dhe Stellantis, nëntë prodhues makinash ndodhen në një rreze prej 250 miljesh. Bocek flet për këtë rajon të Danubit, duke e quajtur edhe “Danube Tech Valley”.
A është duke ecur Sllovakia kështu drejt një të ardhmeje të ndritur falë elektromobilitetit? Analisti Radovan Durana kujton se InoBat duhet ta tregojë veten një herë “se mbështetet në ekonomi solide dhe se mund të zgjerohet. Ne do të shohim, a do të kenë sukses apo jo.” Dhe pavarësisht nga kjo, Sllovakia duhet të shohë nëse në të ardhmen do të mbështetet ekonomikisht kaq shumë në industrinë e makinave./DW
Top Channel