Rozeta Dobi u kthye në pastruesen më të famshme në Shqipëri, pas arrestimit nën dyshimin e vjedhjes të mijëra eurove në shtëpinë e zyrtares Alda Klodi.
Fama e saj duket se do të sfumohet shumë shpejt pasi një tjetër pastruese është arrestuar paraditen e kësaj të shtune, nën akuzën për vjedhje.
Komisariati i Policisë Nr. 2, në Tiranë thotë se ka përfunduar një operacionin e koduar “Gracka” nga ku është arrestuar Elida Kodra .
Agjentët e këtij komisariati kanë zbuluar se punonjësja e mirëmbajtjes Elida Kodra është autore e vjedhjes në rrugën “Vaso Pasha”, gjatë javës së fundit, të shumave 2000 euro, 300 dollarë dhe 35 000 lekë.
Nga paratë e vjedhura policia mundi të sekuestrojë 840 euro, 600 dollarë dhe 40 900 lekë.
Policia thotë se nga provat e siguruara gjatë hetimit Elida Kodra ka qenë e punësuar për mirëmbajtjen e banesës e qytetarit Z. E., në rrugën “Vaso Pasha”.
Sikurse edhe në rastin e Alda Klosit policia për momentin nuk jep detaje, se kush është personi dëmtuar nga kjo grabitje dhe nëse ka qenë ai kallëzuesi vjedhjes.
Do të jetë prokuroria e Tiranës e cila do të zhvillojë hetime të mëtejshme për këtë vjedhje me protagonist përsëri një pastruese.
Krahas rastit të Rozeta Dobit Top Channel mëson se vitin e shkuar është arrestuar edhe një tjetër pastruese e cila kishte vjedhur bizhuteritë e shtrenjta në shtëpinë e një zyrtareje e cila punonte për një ent të rëndësishëm shtetëror.
Arrestimi më i fundit Elida Kodra e çon në tre numrin e pastruesve të përfshira në modën e jo vetëm pastrimit sanitar të shtëpive por edhe të parave cash e bizhuterive.
“Tiranë/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 2, operacioni policor i koduar “Gracka”. Vodhi shuma parash në një banesë, vihet në pranga ish-punonjësja e mirëmbajtjes së kësaj banese. Sekuestrohen 840 euro, 600 dollarë dhe 40 900 lekë të rinj. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, bazuar dhe në provat e siguruara gjatë një pune të mirëfilltë hetimore për vjedhjen e disa shumave parash, në një banesë në rrugën “Vaso Pasha”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Gracka”. Si rezultat i këtij operacioni u bë ndalimi i shtetases E. K., banuese në Tiranë. Nga provat e siguruara gjatë hetimit ka rezultuar se shtetasja E. K., e cila ka qenë e punësuar për mirëmbajtjen e banesës së shtetasit Z. E., në rrugën “Vaso Pasha”, gjatë javës së fundit ka vjedhur në këtë banesë, 2000 euro, 300 dollarë dhe 35 000 lekë të rinj. Gjatë kontrollit të çantës së shtetases E. K., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 840 euro, 600 dollarë dhe 40 900 lekë të rinj”, sipas policisë.
Top Channel