Një grup kriminal që shpërndante heroinë dhe kokainë është goditur nga policia në Tiranë.
Operacioni “Kutia e Pandorës” pas një hetimi disajavor u finalizua duke vënë në pranga katër anëtarë të këtij grupi.
Kështu është vënë në pranga 40-vjeçarja Brikena Frakulli e cila ishte drejtuesja e grupit, 41-vjeçarja Hortenca Biçaku, 45 vjeçari Artur Kristo dhe 20-vjeçari Klevi Banushi, të tre anëtar të grupit.
Ndaj këtij grupi kriminal procedimi penal është regjistruar në janar të këtij viti pasi akuzohen për shpërndarje të drogave të forta si heroinë dhe kokainë me shumicë dhe në doza, në zona të ndryshme të Tiranës.
Policia ka ushtruar kontrroll në banesat e Frakullit dhe 20-vjeçarit ku ka gjetur dhe sekuestruar 6 kilogramë lëndë narkotike heroinë e kokainë, përkatësisht 3 kg 891 gramë heroinë dhe 2 kg e 110 gram kokainë, ku një pjesë ishte e ndarë në 1100 doza gati për shitje.
Gjithashtu u gjetën shuma të mëdha parash në euro dhe lekë, konkretisht 83.555 euro, 420.000 lekë të rinj, 2 automjete, 2 motoçikleta, 3 peshore elektronike dhe 4 aparate celulare, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Drejtuesja e këtij grupi siguronte lëndën e narkotike në sasi të mëdha dhe më pas furnizonte anëtarët e tjerë të cilët e shpërndanin atë në doza.
Sipas policisë është identifikuar edhe personi i cili furnizote 40 vjeçaren por për arsye hetimi emri nuk mund të bëhet i ditur ende.
Top Channel