Prokuroria e Tiranës thotë se Alda Klosi e arrestuar mbrëmjen e një dite më parë është nën hetim për tre vepra penale
Ajo akuzohet për veprat “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin fshehjen ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “ Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.
Ish-drejtoresha e koncesioneve, Alda Klosi në Ministrinë e Ekonomisë në kohën kur ministër ishte Arben Ahmetaj, është arrestuar mbrëmjen e sotme pas një dëshmie të gjatë në polici të ish-pastrueses së saj, Rozeta Dobi.
Gazetarja Anila Hoxha bën me dije për Top Channel se Dobi është marrë në pyetje një ditë më parë për më shumë se 7 orë në ambientet e Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit.
Ajo ka rrëfyer se Klosi kishte tetë shtëpi, dy në Shëngjin, një në Sarandë dhe pesë në kryeqytet.
Në disa prej tyre ajo kishte takuar jo vetëm njerëz të panjohur, por dhe Arben Ahmetajn, duke rrëfyer se Klosi kishte marrëdhënie personale me ish-ministrin.
Burime për Top Channel thonë se ajo ka rrëfyer se ka parë kuti me para në shtëpinë e Klosit dhe se ajo e kishte pyetur se çfarë duhej të bënte me to dhe i kishte kërkuar ndihmë pastrueses se si duhej t’i fshihte.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë së Tiranës
Prokuroria Tiranë ndalon shtetasen A.K., nën hetim për tre vepra penale
Prokuroria Pranë Gjykatës se Shkallës së Parë Tiranë, më datë 27.12.2022 ka regjistruar procedimin penal nr. 9220 viti 2022 për veprën penale “Vjedhja” e pasurisë që ka sjellë pasoja të rënda parashikuar nga neni 134/3 i Kodit Penal dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 i K. Penal, në ngarkim të shtetasve R. D., dhe H. D.
Procedim penal i mësipërm është regjistruar pasi më datë 15.12.2022, është njoftuar Salla Operative e Policisë Tiranë se në Rrugën e “Kosovarëve”, është vjedhur banesa e shtetases A.K. Në kuadër të veprimeve hetimore të kryera nga organi i prokurorisë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, është krijuar bindja e bazuar në prova se autorët e dyshuar për kryerjen e veprës penale janë shtetasit R. D. dhe H. D., ndaj të cilëve me kërkesë te prokurorisë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendos masën e sigurimit “Arrest në burg”.
Në vazhdën e hetimeve dhe akteve hetimore të administruara në kuadër të këtij procedimi penal, kanë rezultuar fakte e rrethana që përbëjnë elementë të veprave penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin fshehjen ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “ Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” parashikuar nga nenet 257/a, 287 e 305/b i K. Penal. Sa sipër, mbi bazën e dyshimeve të arsyeshme të bazuara në prova, është bërë ndalimi i shtetases A.K., e vënë nën hetim për konsumimin e elementeve të këtyre veprave penale.
Me urdhrin e datës 03.02.2023, është regjistruar në regjistrin e veprave penale, emri i shtetases A. K., e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin fshehjen ose deklarimi i rremë, i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Deklarata të rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” parashikuar nga nenet 257/a, 287 e 305/b i K. Penal. Hetimet në lidhje me ketë rast janë komplekse dhe në vijim, duke garantuar se Prokuroria është maksimalisht e angazhuar dhe do të kryejë çdo veprim hetimor me qëllim zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, dhe vënien përpara përgjegjësisë te çdo personi të përfshirë në të.
Top Channel