Administrata Biden po shqyrton një plan për të rrëzuar një balonë të madhe kineze, të dyshuar për mbikëqyrjen e ushtrisë amerikane, duke e rrëzuar atë kur të jetë duke fluturuar mbi Oqeanin Atlantik. Kjo u bë e ditur nga 4 zyrtarë amerikanë.

Zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti lidhur me këtë operacion të ndjeshëm, thanë se ishte e paqartë nëse një vendim përfundimtar ishte marrë tashmë nga presidenti, Joe Biden.

Në një koment të shkurtër sot, në përgjigje pyetjes së një gazetari në lidhje me balonën, Biden tha: “Ne do të kujdesemi për të”.

Balona u pa të shtunën në mëngjes mbi Karolinë teksa i afrohej bregut të Atlantikut.

Biden kishte qenë i prirur ta rrëzonte balonën mbi tokë kur u informua për herë të parë të martën, por zyrtarët e Pentagonit u shprehën kundër, duke paralajmëruar se rreziku për njerëzit në terren ishte më i madh se vlera e e përfitimeve që mund të kishte inteligjenca kineze.

Zbulimi në publik i balonës këtë javë çoi në anulimin e një vizite të Sekretarit të Shtetit të SHBA, Antony Blinken në Pekin, e cila ishte planifikuar për të dielën. Vizita synonte uljen e tensioneve SHBA-Kinë. Qeveria kineze sot u përpoq që të zvogëlonte vlerën e anulimit të vizitës së Blinken.

Kina ka vazhduar të pretendojë se balona ishte thjesht një “avion” për kërkime metereologjike dhe që kishte dalë nga kursi. Pentagoni e hodhi poshtë pretendimin e Kinës se balona nuk po përdorej për mbikëqyrje, dhe se kishte aftësi të kufizuar lundrimi.

Balona u pa mbi Montana, e cila është shtëpia e një prej tre fushave të raketave bërthamore të Amerikës në bazën e Forcave Ajrore Malmstrom.

Ndërkohë, njerëzit me dylbi dhe lente telefoto u përpoqën të gjenin “tullumbacen spiune” në qiell, ndërsa ajo u drejtua drejt juglindjes mbi Kansas dhe Missouri në 18,300 metra lartësi.

Pentagoni pranoi raportimet edhe për një balonë të dytë që fluturoi mbi Amerikën Latine. “Vlerësojmë se është një tjetër balonë mbikëqyrëse kineze”,- tha gjenerali Pat Ryder, sekretari i shtypit i Pentagonit, në një deklaratë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA