Prezantimi i gjashtë kushteve për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti vlerësohet si një ndryshim i qëndrimit të tij karshi kësaj marrëveshjeje.

Sipas njohësve të çështjeve një gjë e tillë erdhi për shkak të presionit nga partnerët ndërkombëtarë.

Kushtet e Kurtit pritet të ndikojnë edhe në procesin e dialogut, për shkak që të paktën kushti për njohjen reciproke shihet si jorealist.

Kryeministri Albin Kurti, të enjten ka paraqitur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës gjashtë kushte që sipas tij do të mund të themelohej bashkësia me shumicë serbe.

Kushti i parë është që Asociacioni të jetë në përputhje me kushtetutën e Kosovës, i dyti është ndërrimi i emrit, të mos jetë monoetnik e të mos ketë fuqi ekzekutive, kushti tjetër është i reciprocitetit me Serbinë në aspektin e të drejtave të pakicave. Me kushtin e katërt kërkohet që strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.

Kurti thotë që Asociacioni të jetë pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke dhe si kusht të gjashtë kërkon që presidenti i Serbisë t’i tërheqë letrat ndaj 5 vendeve jo njohëse të Kosovës.

Top Channel