Kina pranon përgjegjësinë për ballonin ‘spiun’ që fluturoi mbi SHBA (fotot)

03/02/2023 16:22

Kina duket se ka pranuar dje se një ballon i mistershëm që ka fluturuar mbi anën perëndimore të SHBA ishte ngritur nga vendi aziatik, por jo siç u mendua fillimisht.

Mediat vendase thonin se balloni është një mjet civil fluturimi ajror, i përdorur për studime shkencore.

Kjo do të thotë se balloni është kryesisht për qëllime meteorologjike dhe ka një kontroll drejtimi të tijin.

Ministria e jashtme kineze shpjegonte se balloni kishte devijuar nga kursi i tij i planifikuar “prej erërave të forta” dhe se i vinte keq për inkursionin në hapësirën ajrore të SHBA.

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze Mao Ning tha: “Ne nuk kemi si qëllim të shkelim hapësirën ajrore të vendeve të tjera. Ne mbledhim dhe verifikojmë fakte, dhe shpresojmë që palët e tjera ta trajtojnë çështjen me një mendje të ftohtë”.

Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes thanë se besonin se balloni është në fakt një “mjet mbikëqyrjeje i lartësive të mëdha”.

Objekti besohet se ka fluturuar mbi ishujt Aleutian në Alaskë par se të kalonte Kanadanë dhe më pas të arrinte në Montana, SHBA.

Para deklaratës së Kinës një zyrtar amerikan tha: “Ai ka qëndruar aty për një periudhë më të gjatë sesa në rastet e mëparshme”. Zhvillimi vjen në një kohë tensionesh politike e ushtarake mes dy vendeve, si dhe mes pretendimeve se ballonët e lartësive të mëdha, mund të përdoren njëlloj si satelitët për qëllime mbikëqyrjeje.//BBC/

FOTO GALERI
1/3
Zhvillimi vjen në një kohë tensionesh politike e ushtarake mes dy vendeve, si dhe mes pretendimeve se ballonët e lartësive të mëdha, mund të përdoren njëlloj si satelitët

Top Channel