Kuvendi i Serbisë diskuton Kosovën/ Loja e Vuçiç: Raporti nuk përmban planin europian

02/02/2023 13:07

Kuvendi i Serbisë zhvillon sot një seancë të posaçme për Kosovën, e presidenti Aleksandar Vuçiç është ftuar aty të flasë mbi ecurinë e deritanshme të dialogut dhe propozimin franko-gjerman që synon zgjidhjen e ngërçit mes dy vendeve.

Ligjvënësve do do t’u prezantohet raporti mbi procesin e negociatave me autoritetet e Kosovës, që mbulon periudhën nga 1 shtatori i vitit 2022 deri më 15 janar të vitit 2023. Raporti është dorëzuar në Parlamenti nga Qeveria e Serbisë, por çuditërisht, aty, propozimi europian për një marrëveshjeje normalizimi të marrëdhënieve me Kosovën, nuk përmendet.

Plani që ka edhe mbështetjen e SHBA-së nuk është bërë publik, megjithatë ai iu prezantua Beogradit dhe Prishtinës, në shtator dhe dhjetor të vitit 2022. Media që kanë pasur qasje në këtë dokument thonë se aty nuk përmendet njohja reciproke apo anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara, por i mëshohet idesë së mbështetjes që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve europiane. Gjithashtu, Serbisë i kërkohet që të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Duke tentuar të reduktojë pritshmëritë mbi rezultatin e seancës së sotme parlamentare, Vuçiç u shpreh një ditë më parë se nuk beson që në të do të arrihet uniteti lidhur me planin për Kosovën, ndërsa nënvizoi se nuk ka afate kohore për pranimin e planit franko-gjerman. Në 20 janar, presidenti i Serbisë u takua me ekipin diplomatik europian0-amerikan në Beograd, dhe pas bisedës me ta u shpreh i hapur të pranojë konceptin dhe të punojë për zbatimin e planit europian.

Top Channel