Mjeku reanimator, Behar Gjevori që u kujdes për 34-vjeçaren që ndërroi jetë, në një lidhje live në emisionin “Shqipëria Live” tha se nuk ka pasur asnjë neglizhencë nga ana e tyre.
34-vjeçarja Etleva Çullhaj ndërroi jetë të hënën disa orë pasi abortoi fetusin. Mjeku gjinekolog dhe anestezist janë marrë në pyetje dhe janë nën hetim në gjendje të lirë.
“Dukej normale gjendja e saj, me pak stres dhe ankth, por gjithçka u realizua me sukses, me anestezi që nuk jep komplikime dhe bën një zgjim të shpejtë. Gjatë kësaj kohe ka qenë e monitoruar, parametrat e saj ishin normale, u përdor promofoli preparati që përdoret në sallë, ecuria ishte normale, zgjimi ishte normal. Normalisht shkoi në këmbë dhe bëri ekon, në 15:30 iku në shtëpi e shoqëruar nga një person tjetër. Ndërlikimet kanë ndodhur më 5 e gjysmë, 6 sipas obstetrit, më tha që është ndërlikuar gjendja dhe shkoi në shtëpinë e saj dhe e sjell në urgjencë dhe nuk jetonte më. Ajo ishte 11-12 javë shtatzënë. Një nga intervistat që i bëhet pacientit është natyra e alergjisë. Fakti që anestezia shkoi mirë do të thotë që e suportoi mirë. Rastet janë shumë të rralla, agravimi që quhet tromboemboli pulmonare e cila është vdekjeprurëse. Ne i kemi të përditshme këto procedura, maksimumi qëndrohet dy orë në spital. Një orë më vonë, mund të ngasë edhe makinën. Tromboemboli pulmonare njihet si komplikacion pas aborteve. Nga ana jonë protokolli ka qenë shumë korrekt, pas tre katër orëve ndodhi ky komplikacion. Është më se normale që policia dhe këto të marrin hapat e tyre. Nuk kemi të bëjmë as me neglizhencë”, tha mjeku.
Etleva Çullhaj ishte nënë e dy fëmijëve, me të cilët jetonte me qira në Elbasan, ndërsa bashkëshorti i viktimës ndodhet në Greqi, i burgosur.
Në momentin që ndodhi ngjarja e rëndë, asnjë familjar nuk ndodhej në spital, ndërsa prokuroria është njoftuar nga spitali.
Pritet që ekspertiza mjeko-ligjore pritet të hedhë dritë mbi shkaqet dhe vijimësinë e hetimeve.
Top Channel