Me zgjedhjet pas porte dhe me një konflikt juridik të tejzgjatur, debati se kujt i takon vula dhe logoja e partisë, duket se është problem më i vogël për demokratët.
Zvarritja e betejës ligjore mund të rrezikojë regjistrimin e forcës më të madhe të opozitës në zgjedhjet e pranverës.
“Dua ta them hapur, nuk mund të bëjmë sikur s’do ndodhë asgjë nëse partia kryesore e opozitë mund të mos regjistrohet”, tha kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi.
Situata politike brenda kampit opozitar duket se ia ka vështirësuar punën e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve. Grupimi i Alibeaj ka në dorë vulën dhe logon e partisë, por me struktura inekzistente prej më shumë se 1 viti, ndërsa Sali Berisha ka rithemeluar partinë por rrezikon të dalë jashtë zyrës së kryetarit nga një vendim të gjykatës së Apelit. Në mungesë të një zgjidhje politike apo juridike vendimmarrja do i takojë shumë shpejt KQZ.
“Kjo vendimmarrje do të jetë thjeshtë dhe vetën në respekt të ligjit. Do të ishte naivitet nëse dikush, do të mendonte që kjo vendimmarrje do të bazohej nga urdhërimet e dikujt tjetër, qoftë ky i brendshëm apo i jashtëm”, u shpreh Celibashi.
6 marsi është dita e fundit për regjistrimin e forcave politike pjesëmarrëse në zgjedhjet lokale të 14 majit dhe sherri për drejtimin e Partinë Demokratike duhet te marrë fund para këtij afati/
“Janë disa afate brenda të cilave qoftë nga pikëpamja praktike ti mund të bësh ndryshime, por tej këtyre afateve praktikisht nuk mund të bësh ndryshime. Nëse një vendim i tillë merret pas datës 7 mars është pa sens”, shpjegoi Celibashi.
Komisioneri paralajmëroi se para se të marrë një vendim mbi fatin e Partisë Demokratike do vlerësojë jo vetëm situatën juridike në regjistrin e partive politike por edhe vendimin shkallës së parë që riktheu Sali Berishën në selinë blu.
Top Channel