Referuar regjistrit të publikuar në vitin 2022 nga Ministria e Infrastrukturës rezulton se është dhënë vitin e shkuar edhe një leje tjetër minerare.

Leja është miratuar në 12 tetor të 2022 për kompaninë Platinium ALB shpk. E cila do të kryej aktivitetin e shfrytëzimit në Bashkinë e Pogradecit për mineralet e hekur-nikel.

“Analizat kanë treguar që ka përmbajtje dhe mbi ato normat e lejuara për disa elementë të caktuar. Ajo që është më shqetësuese është që këto elementë transportohen në liqen përmes ujërave të lumenjve, nëpërmjet aktivitete natyrore siç është era, shiu duke qenë se kanë humbur neutralitetin që ju sigurohej këtyre vendeve ky siguroheshim depozitimit e mbetjeve të hekur nikelit dhe janë lënë jashtë kontrollit dhe nuk e kemi monitorimin që duhet për ujërat që shkojnë në liqen prej tyre” u shpreh Arian Meroli, ekspert mjedisi.

Nëse shikon listën e lejeve minerare janë një numër i konsiderueshëm i kompanive që kanë fituar të drejtën për shfrytëzim në zonën e Pogradecit. Këto leje janë dhënë për shfrytëzimin e mineraleve të hekur- nikelit, të qymyr gurit, gurit gëlqeror etj. Ky aktivitet, konsiderohet kërcënim për ekosistemin çka përbën një prej rreziqeve në statusin e Liqenit të Ohrit si pjesë e trashëgimisë Botërore.

Ministria e Mjedisit dhe e turizmit është e vetëdijshme për rreziqet që sjell dhënia e lejeve minerare për liqenin e Ohrit.

“Aktiviteti minerar në karrierë ka impakt të drejtpërdrejte negativ në liqen, pasi metalet e rënda që gjenden në këto karriera shkojnë të gjitha aty, duke ndikuar në florën dhe faunën e tij. UNESCO rekomandon mbylljen e aktiviteteve minerare brenda zonës buferike të pasurisë së trashëgimisë Botërore”.

Top Channel