Regjisori Antoine Fuqua do të paraqesë jetën e legjendës së muzikës pop Michael Jackson në projektin e tij të ardhshëm filmik.
‘The Hollywood Reporter’ konfirmoi se Fuqua dhe Lionsgate po bashkohen për të prodhuar një film biografik të titulluar “Michael”. Së fundmi është zbuluar se nipi i Michael, Jaafar Jackson, do të luajë rolin e legjendës së muzikës pop në filmin e ardhshëm. I emocionuar, Jaafar tha:
“Jam i përulur dhe i nderuar që sjell në jetë historinë e xhaxhait tim Michael. Për të gjithë fansat në të gjithë botën, do të shihemi së shpejti”.
Një këngëtar dhe kompozitor, i riu Jackson ka thënë se babai i tij, Jermaine ish-anëtar i Jackson 5, zbuloi dhe inkurajoi anën e tij muzikore. Disa fansa kanë vënë re ngjashmërinë e 26-vjeçarit me këngëtarin e njohur. Filmi është vetëm një nga shumë prodhime rreth këngëtarit legjendar por kontrovers të pop-it, i cili ndërroi jetë në vitin 2009.
Filmi biografik do të ‘gërmojë’ në akuzat për sulme seksuale me të cilat Michael Jackson është përballur vazhdimisht. Një njoftim për shtyp i vitit 2022 nga Lionsgate tha se filmi do të ofronte një portret të thellë të njeriut të ndërlikuar dhe një pasqyrë për jetën e tij personale. Dokumentari i vitit 2019 “Leaving Neverland”, i cili tregoi historinë e dy burrave që thanë se ishin ngacmuar nga Jackson në fund të viteve ’80 dhe në fillim të viteve ’90, tërhoqi jo pak vëmendjen ndaj pretendimeve.
Top Channel