Studiuesi që heton UFO-t prej 45 vjetësh thotë se ‘alienët nuk vijnë në paqe’ (fotot)

30/01/2023 21:40

Një ekspert i vjetër i UFO-ve dhe jashtëtokësorëve që ka hetuar dhjetra pikasje dhe episode paranormale gjatë karrierës së gjatë prej 45 vitesh, thotë së fundmi se alienët “nuk vijnë në paqe” dhe se ata “kanë një axhendë” të caktuar ndaj njerëzimit.

Malcolm Robinson, një nga specialistët më të njohur në Britani për jashtëtokësorët, ka shkruar më shumë se dhjetë libra mbi këtë fushë dhe ka hulumtuar shumë incidente e rrëmbime aliene gjatë dekadave.

Shumë nga pikasjet e raportuara kanë shpjegime të thjeshta, tokësore, tregon Robinson, i cili shton se shumë të tjera ndërkohë janë ende të pakuptueshme.

“Në një kohë kur shumica e kontakteve me UFO-t mund të kenë shpjegimet e tyre natyrale, mbeten ende të tjera që unë dhe kolegët e mi në të gjithë botën po përpiqemi të kuptojnë se çfarë duan të thonë”, tha ai për rrjetin britanik Daily Star.

“Ajo për të cilën nuk kemi dyshime, është se enigma e UFO-ve është reale, shumë reale, dhe është me ne prej kohësh’.

“Ne shikojmë artin prej epokës së Rilindjes, në piktura dhe skeçe të shpellave forma dhe objekte të çuditshme”.

I pyetur se çfarë mund të kërkojnë prej njerëzve alienët, Robinson përgjigjet: “Ata sigurisht kanë një axhendë të tyren, por nuk mund të spekuloj”.

“Nuk mund të them se janë paqësorë, se ndryshe nuk do të kishim mijëra rrëmbime nga UFO-t në të gjithë botën”.

Robinson thotë se është përfshirë me botën e UFO-ve prej moshës së re, kur ai kishte tentuar të provonte se të gjitha deklarimet për pikasje të tyre janë të rreme, dhe në fakt kishte dështuar.

“Kur isha i ri tentova të hidhja poshtë të gjitha dëshmitë se alenët ekzitonin .. por sa i gabuar që isha!”

I pyetur sesi duken alienët, Robinson thotë se pikasjet e tyre nuk janë shumë të ndryshme nga ato që shikojmë shpesh në filma ose televizion.

“Dëshmitarët thonë se shikojnë krijesa që ne i quajnë ‘grijtë’,” thotë ai duke iu referuar atyre që njihen si “alienët Gri”.

“Janë krijesa të vogla, si me trup fëmije dhe një lëkurë ngjyrë gri ose blu e shndritshme, kanë koka në formë dardhe dhe sy të zinj, nuk duket se kanë organe gjenitale”.

“Këta grijtë duket se janë më të pikasurit pranë objekteve fluturuese aliene”, shton ai.

Studimet e tij e kanë çuar në një numër incidentesh dramatike, përfshi dhe atë që njihet si rrëmbimi i parë alien në Skoci, ku rezidentët e Edinburg, Garry Wood e Colin Wright u morën më 17 gusht 1992, në atë që njihet si ‘A70 Incident’.

Duke përshkruar incidentin në librat e tij Robinson thotë: “Këta të dy kaluan një eksperiencë tmerruese e mahnitëse, që ende nuk e kanë harruar”.

Dyshja ishin me makinë në një rrugë të izoluar kur panë objektin fluturues që qëndronte në ajër rreth 7 metra mbi sipërfaqen e rrugës.

Burrat ishin larguar duke kujtuar se shpëtuan por kishin një humbje të kujtesës per nje periudhë kohe dhe më vonë nisën dhimbje të kokës.

Atëherë Robinson u përfshi me ta duke përdorur hipnozën për të kuptuar atë çka kishte ndodhur atë natë.

“Hipnoterapistja Helen Walters është një mike e ngushtë e imja dhe trajtoi Garry e Colin me të gjithë kujdesin e mundshëm,” shkruan ai, duke shtuar se burrat kishin parë qenie të vogla që i morën në mjetin e zi fluturues dhe i mbajtën aty për njëfarë kohe.

“Ne nuk e dimë çfarë ka ndodhur me Garry e Colin në këtë kohë, por jetët e tyre tashmë kanë ndryshuar dhe nuk dimë në çfarë mënyre”, thotë studiuesi.

FOTO GALERI
1/5
Malcolm Robinson, një nga specialistët më të njohur në Britani për jashtëtokësorët, ka shkruar më shumë se dhjetë libra mbi këtë fushë

Top Channel