Vaksinimi për herë të parë i vajzave 13 vjeçe ndaj HPV ,virusit që shkakton kancerin e qafës së mitrës ka pasur interes nga prindërit sidomos në Tiranë, ku kërkohet të vaksinohen edhe vajzat 14 ,15 apo 16 vjeç.
“Ndryshe nga vaksina e Covid apo vaksina të tjera ka interes të prindërve, madje kërkojnë ta bëjnë edhe për vajzat 14 vjeç”, tha mjekja Sonila Brati.
Por mbi moshën 13 vjeç kjo vaksinë nuk mund të përfitohet, pasi sipas Silva Binos është një program që sapo ka nisur në sistemin tonë shëndetësor dhe në një të ardhme do të ketë një plan për mosha të tjera.
Bino tërheq vëmendjen për prindërit dhe mjekët të cilët bëjnë privatisht vaksinën ndaj HPV të bëjnë kujdes me dozat pasi rekomandimet kanë ndryshuar.
“Vaksina është mono dozë për 13- 17, 18 vjeç, më para ka qenë me dy doza. Ndërsa për mbi këtë moshë ka qenë me tre doza, tani është me dy”, tha Silva Bino.
Sipas Binos studime në vende si Anglia kanë treguar që vaksina është shumë efikase për të parandaluar kancerin e qafës së mitrës.
“Ka prindër që u ka vdekur vajza 28 vjeç pasi kanceri i qafës se mitrës nuk prek vetëm moshat e rritura”, tha Bino.
Vetëm në bashkitë Elbasan, Devoll dhe Korçë interesi ka qenë i ulët, ndërsa në bashkitë e tjera ka interes të shtuar të prindërve.
Top Channel