Rritja e çmimeve të apartamenteve, Veliaj: Më  e ulët se në vendet e BE! Qytetarët sot, kanë një banesë që ju vlen më shumë se dje

29/01/2023 12:50

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj foli sot edhe për rritjen e çmimeve të apartamenteve në kryeqytet.

Ai thotë se kjo ka ndodhur, por nuk duhet trajtuar si diçka e keqe, por si lajm i mirë sepse qytetarëve sot prona e tyre u vlen më shumë se më parë.

“Është e vërtetë se çmimi i një apartamenti është rritur në Tiranë, qoftë për t’u blerë, qoftë për t’u marrë me qira. Por, a është kjo një gjë e keqe? 93% e qytetarëve të Tiranës në fakt, janë pronarë të banesave të tyre. Kjo do të thotë se për këta 93% ky është një lajm shumë, shumë i mirë. Secili prej jush është bërë më i pasur dhe ka përfituar drejtpërdrejtë nga zhvillimi i qytetit, se ka një apartament apo një pronë që i vlen më shumë sot se sa dje,” thotë Veliaj.

Ai shpjegoi se ritmi i rritjes së vlerës së pronës ka ecur paralelisht me rritjen ekonomike në vendin tonë. “A është rritja e çmimeve në Tiranë e jashtëzakonshme? A ka marrë për kot? A është fryrë nga para të krimit dhe lloj-soj sulmi që bëhet nga këta gjithollogët? Në fakt, shifrat tregojnë se ecuria e rritjes së vlerës të pronës në Tiranë është në përputhje të plotë dhe me ecurinë e rritjes së ekonomisë,” deklaroi kryebashkiaku.

Veliaj thekson faktin se rritja e çmimeve të banesave në kryeqytet është më e ulët se mesatarja e kësaj rritjeje çmimesh në vendet e Europës: “Në BE, në 10 vitet e fundit çmimi i banesave është rritur mesatarisht me 50%. Për të njëjtën periudhë çmimi mesatar në Tiranë është rritur me 34%. Do të thotë se jemi në një ritëm më të ulët rritjeje se pjesa tjetër e Europës.”

Transformimi dhe urbanizimi i Tiranës, shtoi Veliaj, është në përputhje me planin urbanistik dhe vizionin për të krijuar një qytet që ka ambicie të jetë jo vetëm kryeqendra e Shqipërisë, por dhe e të gjithë rajonit, siç ishte viti i Rinisë, Viti i Sportit dhe vitin tjetër Presidenca e B40.

“Tirana sot është kthyer në një qytet që mirëpret mijëra turistë. Vetëm në vitin 2022 që lamë pas, ne pritëm mbi 4 milionë turistë dhe evente të jashtëzakonshme, si finalja e Conference League, koncertet e Rita Orës dhe Dua Lipës, Samiti i 27 vendeve të BE dhe Ballkanit Perëndimor. Të gjitha këto nuk do ishin realizuar dot nëse në Tiranë nuk do të kishim një shesh të madh, një stadium serioz, objekte publike, apo dhe ndërtesa të larta moderne, private, si hotelet me pesë yje që po konturojnë Tiranën dhe që mund të akomodojnë numra të tillë turistësh,” argumentoi Veliaj.

Ai tha se ndërtimi është një nga sektorët që kontribuon më shumë në ekonominë kombëtare dhe të Tiranës dhe punëson 100 mijë njerëz. Ndërsa, nuk la pa përmendur edhe taksën 9% të vlerës së investimit në ndërtim që shkon në rritjen e buxhetit të Bashkisë dhe më shumë investime për qytetarët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA