Prej ditës së sotme, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka nisur një rubrikë të re informimi dhe sqarimi me fakte dhe shifra zyrtare, për tema të cilat prekin qytetin dhe kanë shkaktuar debate në publik.
Në videomesazhin e publikuar në rrjetet sociale, Veliaj thotë se rubrika do të japë argumente për tema që debatohen pa informacionin e plotë dhe shpeshherë trajtohen shtrembër, edhe për interesa të vogla politike.
Si shembull, ai ka prekur debatin për ndërtimet në Tiranë, duke sjellë shifra e fakte, por edhe argumente, se ky sektor është ai që ka kontribuar më shumë në ekonominë shqiptare. Sipas tij, Tirana rritet çdo vit me 20-25 mijë banorë dhe kjo ka sjellë rritjen e kërkesës për më shumë apartamente. Ai thotë se Tirana ka nevojë të shtojë rreth 8 mijë banesa çdo vit.
“Nëse nuk shtohet oferta për banesa të reja, atëherë çmimet e banesave ekzistuese do të bëheshin të papërballueshme dhe do të rriteshin në mënyrë eksponenciale. 8 mijë banesa, me nga një mesatare prej 100m2, përfshirë hapësira të përbashkëta, shkallë e ashensorë, janë rreth 800 mijë m2 ndërtim i ri i kërkuar nga tregu çdo vit në Tiranë. Atëherë, përfundimi është i thjeshtë: Numri i metrave katrorë të ndërtuara në Tiranë, përputhet proporcionalisht me numrin e rritjes së banorëve të Tiranës,” evidentoi ai.
Veliaj ka treguar edhe sa leje janë dhënë në Tiranë dhe për cilat qëllime: “Nga viti 2016 deri në vitin 2021 numri i procedurave të lejeve të dhëna në total është 1028, pra për 5 vite, nga të cilat, vetëm një e treta janë leje ndërtimi për objekte nga 4 deri në 12 kate, pra pallate. Pjesa tjetër janë leje për objekte të ulëta, si dhe leje për rikonstruksione, çati, prishje ndërtimi etj. Pra, çdo gjë që konsiderohet leje, jo vetëm e pallateve, është në këto 1028. Këto leje të miratuara janë marrë nga 991 subjekte të ndryshme zhvilluese, çka tregon se ka një diversifikim shumë të lartë të subjekteve që i përfitojnë këto leje ndërtimi,” tha ai.
Lidhur me ata që shprehen “na mbytën kullat”, Veliaj ka një përgjigje të thjeshtë dhe me shifra. “Dëgjojmë të recitohet pa fund dhe pa turp: “Na mbytën kullat”. E vërteta e thjeshtë dhe shumë e verifikueshme është se objekte me mbi 12 kate janë vetëm 20. Dhe ky është FAKT!”, thotë ai.
Kryebashkiaku thotë se trendi i rritjes së ndërtimeve në Tiranë është në përputhje me trendin e rritjes ekonomike të Tiranës – është një rritje që shkon krah për krah njëra-tjetrës – dhe është e rëndësishme t’i besohet shkencës dhe parimeve të ekonomisë së tregut të lirë.
“Ka kërkesë, por ka edhe ofertë. Të dyja duhet të ecin paralelisht. Tiranës nuk ia vëmë dot traun për këta 20-25 mijë qytetarë që na bashkohen çdo vit. As nuk e ndajmë dot në vendalinj e të ardhur, sepse ajo është një gjuhë raciste e viteve ’90 që nuk duhet të ekzistojë më. Ne duam ta bëjmë këtë një qytet më të mirë për të gjithë”, e mbyll ai videomesazhin.
Top Channel