Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë shprehu keqardhje për vendimin e Sofjes që të tërheqë ambasadorin e saj nga Shkupi, duke nënvizuar se kjo ishte një tërheqje e përkohshme pasi, sipas tij, dialogu është mënyra e vetme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Osmani po ashtu tha se shfaqja e tensioneve midis Shkupit dhe Sofjes, në kohën kur ka zhvillime intensive midis Prishtinës dhe Beogradit, rrit mundësinë për ndikimin e faktorëve destruktivë, pasi sipas tij, tani ata kanë më shumë hapësirë për të vepruar.
Sipas kryediplomatit maqedonas, Rusia është e interesuar dhe vepron në forma të ndryshme që në rajonin e Ballkanit Perëndimor të ketë krizë të përhershme dhe çështje të hapura, pasi në këtë mënyrë, sipas Osmanit, Moska mund të ndikojë në politikat e brendshme të rajonit.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Osmani, cila është prapavija e tërheqjes së ambasadorit bullgar nga Shkupi dhe cili mbetet qëndrimi i dikasterit që përfaqësoni?
Bujar Osmani: Shpreh keqardhjen për këtë tërheqje të përkohshme, pra thirrjen për konsultime. Sigurisht se kjo është edhe përkeqësim i raporteve ndërshtetërore dhe arsyet sigurisht se mund t’i merrni atje.
Ne këtu jemi të interesuar që të vazhdojmë dialogun me Republikën e Bullgarisë. Ambasadorët sigurisht se janë instrument kryesor për dialog ndërmjet dy shteteve, ashtu që besoj se ky vendim do të mund të rikthehet dhe të mund të vazhdohet ky dialog. Nëse ky vendim është lidhur me incidentin në fjalë [sulmin fizik të 19 janarit ndaj Hristijan Pendikov, përfaqësuesit të qendrës bullgare ‘Car Boris Treti’ nga Ohri] atëherë kujtoj se i njëjti është disproporcional, pasi Maqedonia e Veriut i ka ndërmarrë të gjitha masat për sa i përket këtij incidenti.
Ai ka qenë një rast i izoluar, ku policia menjëherë ka identifikuar kryesit e veprës, ka marrë masa për t’i nxjerrë para ligjit të gjithë të përfshirët. Unë isha në Sofje për të vizituar të lënduarin dhe njëkohësisht për të shprehur keqardhje për këtë incident dhe sigurisht se shteti nuk ka se çfarë të bëjë më tepër, përveç se të krijojë situatë të dënimit ndaj situatave të tilla dhe të krijojë atmosferë të zero tolerancës për gjuhën e urrejtjes dhe për krimet që bazohen në gjuhën e urrejtjes.
Shikoni, edhe konteksti është i tillë. Kemi zgjedhje në Bullgari, kemi një situatë politike të tensionuar këtu, dhe ajo që theksova, zona e gjakut të provokatorëve, dhunuesve dhe përfituesve politikë tani është aktive dhe secili tenton që nga kjo situatë të përfitojë diçka. Unë mendoj që mënyra më e lehtë është të ndiqet opinioni i përgjithshëm dhe të merren vendime emocionale.
Por, unë mendoj se roli im është që të ruaj raportet tona me Bashkimin Evropian, shtetet e BE-së, të ruaj imazhin e shtetit dhe të ruaj perspektivën evropiane të vendit, natyrisht duke mbrojtur interesat e të gjithë popujve dhe njerëzve që jetojnë këtu.
Unë kujtoj se kjo është e vetmja mënyrë dhe absolutisht nuk do të zmbrapsemi nga kjo strategji pavarësisht presioneve, fushatave të linçimeve publike që bëhen, pasi kjo pak flet edhe në vete për një atmosferë në të cilën jetojnë dhe veprojnë jo vetëm shoqëria në përgjithësi, por edhe njerëzit dhe individët.
Radio Evropa e Lirë: Përplasjet e fundit me Sofjen sa mund te rrezikojnë procesin e integrimit evropian? Këtu kam qëndrimin e euro-deputetit Angel Xhambaski, i cili kërkon sërish veto për Maqedoninë e Veriut.
Bujar Osmani: Unë mendoj se çështja e Xhambaskit është një çështje që i është dhënë peshë më shumë sesa e meriton. Ai është një faktor i parëndësishëm, margjinal, në shoqërinë bullgare, i cili nuk ka arritur as të futet në Parlamentin bullgar. Por, për fat të keq ne nga ai krijuam një yll politik të panevojshëm.
Ne si ministri i kemi ndërmarrë të gjitha instrumentet për të dënuar fjalorin e tij. Kemi kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Bullgarisë që të dënojë këtë gjuhë të urrejtjes dhe ata tashmë e kanë bërë, janë distancuar dhe kanë treguar se këto nuk janë qëndrime të shtetit bullgar dhe mendoj se kjo çështjen do të duhej të përfundonte këtu.
Porosia që dhashë në këtë rast është para së gjithash që të parandalohet një taktikë e tillë në të ardhmen, të vendosim parimin se kushdo që vjen në Maqedoninë e Veriut dhe do të mohojë ekzistencën e popujve këtu, qofshin ata maqedonas apo bullgarë ose shqiptarë e tjerë ose do të shprehë pretendime territoriale. Do të duhet vërtetë të parandalohet mundësia që të vije dhe të provokojë njerëz këtu dhe jo nga kjo tash të bëjmë hakmarrje politike ose të kënaqim pritjet të cilat mund të jenë për momentin. Por, ne duhet të jemi gjakftohtë, të shohim strategjinë e shtetit, interesat e njerëzve dhe interesat e njerëzve janë krejt ndryshe nga ajo që përfitues të ndryshëm tentojnë, nga të dy anët e kufirit, të kidnapojnë të ardhmen e njerëzve.
Radio Evropa e Lirë: Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, tha se pas strukturave anti-maqedonase në Bullgari qëndron shërbimi i inteligjencës ruse. Çfarë po bëjnë institucionet për te evituar pasojat dhe cilat mund të jenë ato?
Bujar Osmani: Sigurisht se do të duhet të kërkoni nga presidenti i shtetit Pendarovski, për t’i elaboruar ato pretendime. Ajo që unë mund të them është se gjithmonë ka pasur një interes rus për të mbajtur rajonin në krizë permanente dhe me çështje të hapura, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të ndikohet në politikat e brendshme të rajonit dhe të ushtrohet një lloj ndikimi, nëse nuk mund të ndikohet ndryshe.
Federata Ruse ka mënyra se si ndikon në rajon. Për shembull, me perspektivën ekonomike ose me çfarëdo vlere të shtuar, përveç se duke mbajtur kriza permanente dhe kështu duke e ruajtur ndikimin. Kjo ka qenë prezentë edhe në raportet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe sigurisht se tani ky përshkallëzim i momentit do të vlerësohet si shans për ndikim më të madh rus. Më konkretisht, këtë besoj se presidenti mund t’ua elaborojë.
Radio Evropa e Lirë: Kur jemi te tema lidhur me interesimin e Rusisë që të krijojë trazira në rajon, në njërën anë kemi raportet mes Shkupit dhe Sofjes që janë në një pikë kritike, dhe në anën tjetër kemi raportet mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar po ashtu me shumë tensione. Pra, sa këto tensione dëmtojnë në formë të ndërsjellë proceset.
Bujar Osmani: Po, pikërisht po e dëmtojnë. Duke shpërqendruar opinionin publik në ballafaqimin me këto kriza, ndërkohë që tani vëmendja duhet të shpërndahet në më shumë vende. Kjo njëherësh rrit mundësinë për ndikimin nga faktorët destruktivë, duke pasur tani më shumë hapësirë për të vepruar. Andaj ndikojnë negativisht te njëra-tjetra, por unë mendoj se do të gjejmë forcë, gjakftohtësi për të parë më larg dhe për të de-eskaluar këtë situatë të tanishme.
Në këtë drejtim, unë do të veproj pa reshtur pasi kjo është e vetmja mënyrë dhe nuk do t’i nënshtrohem asnjë forme të presionit publik që bëhet për rolin tim që Maqedonia e Veriut të ketë raporte të mira me të gjitha shtetet, dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejoj që për përfitime politike, dikush të kidnapojë të ardhmen e njerëzve.
Radio Evropa e Lirë: Përveç problemeve me Sofjen dhe ndikimin rus, Maqedonia e Veriut përballet edhe me probleme të tjera sikurse ndryshimet kushtetuese. Çfarë do të ndodhë nëse nuk miratohen ndryshimet kushtetuese?
Bujar Osmani: Unë kam thënë qysh në fillim, ndryshimet kushtetuese janë në interesin tonë, ndryshimet kushtetuese do të bëjnë një përkufizim historik të shumë dilemave të imponuara ndaj shtetit tonë dhe ndaj shoqërisë sonë. Do t’i ndihmojë bashkësisë bullgare këtu, por në lidhje me raportet ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë do të jetë pikë e kthesës historike në interesin tonë.
Radio Evropa e Lirë: Si kryesues i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, pas pothuajse një viti të pushtimit rus, a besoni ende se me diplomaci dhe pa armë mund të ndalet lufta në Ukrainë?
Bujar Osmani: Shikoni, secila luftë në fund përfundon në tavolinë dhe përfundon me diplomaci. Sado që të zgjasë, çfarëdo që të jetë ajo luftë, përfundon përmes mekanizmave diplomatikë.
Megjithatë, OSBE-ja nuk është vetëm, nuk e shikon vetëm sigurinë – megjithëse është organizatë e sigurisë – nga prizmi i dimensionit luftarak-politik. Por, edhe dimensionin ekonomik, ekologjik, njerëzor. Dhe, OSBE-ja është specifike nga ai aspekt, meqenëse ka një përfshirje të përgjithshme ndaj sigurisë përmes këtyre tri dimensioneve. Kryesimi ynë me OSBE-në do të ofrohet që të ndihmojë në raportet midis dy vendeve pjesëmarrëse, prej të cilave, për fat të keq, njëra kryen agresion ndaj tjetrës me qëllim… në këtë rast, duke i shkelur të gjitha parimet bazë të organizatës dhe synimeve të organizatës../ REL
Top Channel