Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ndodhet sot në Korenë e Jugut, ndalesa e parë e një udhëtimi që përfshin edhe Japoninë dhe ka për qëllim forcimin e lidhjeve me aleatët e SHBA-së, përballë luftës në Ukrainë dhe konkurrencës me Kinën.

Stoltenberg takoi Ministrin e Jashtëm Park Jin në Seul dhe pritej të takohet me Presidentin Yoon Suk-yeol dhe Ministrin e Mbrojtjes Kombëtare, Lee Jong-Sup.

NATO është e shqetësuar për provat me raketa dhe programin e armëve bërthamore të Koresë së Veriut, ndërsa lufta në Ukrainë pati pasoja për Azinë, sipas Stoltenberg.

Të dy zyrtarët përmendën “vlerat e përbashkëta” midis vendeve të NATO-s dhe Koresë së Jugut.

“Duke pasur parasysh sfidat e sotme të pashembullta globale, ne besojmë se solidariteti midis vendeve që ndajnë vlerat e lirisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit është më i rëndësishëm se kurrë”, tha  Park.

Sekretari i përgjithshëm ka planifikuar të hënën takime në Tokio me kryeministrin Fumio Kishida dhe zyrtarë të tjerë japonezë.

NATO do të mbetet e fokusuar në Evropë dhe Amerikën e Veriut, por vendet anëtare të saj preken nga sfidat e sigurisë në mbarë botën, theksoi zoti Stoltenberg për agjencinë e lajmeve të Koresë së Jugut Yonhap.

“Ne duhet të përballemi me këto kërcënime dhe sfida globale, përfshirë sfidat që vijnë nga Kina, dhe një nga mënyrat për ta bërë këtë është, sigurisht, të punojmë më ngushtë me partnerët në rajon“, shtoi ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA