Çfarë shkoi keq në 2022? Raporti i Ministrisë së Financave: Probleme me kontrollin e koncesioneve

29/01/2023 19:41

Në programin e reformave ekonomike për vitet 2023-2025, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka bërë një vlerësim çfarë shkoi keq me financat e vendit dhe cilat do të jenë drejtimet për tu fokusuar në të ardhmen.

Kështu, Ministria e Financave pranon se ka probleme me menaxhimin dhe kontrollin e PPP-ve. Në draftin e hedhur për konsultim publik pranohet se bashkimi i Ministrive të Ekonomisë dhe Financave në një vend ka sjellë probleme të koordinimit me menaxhimin e PPP-ve, ndërsa një tjetër aspekt për të vënë më shumë theksin është mungesa e kritereve të qarta në lidhje me përzgjedhjen dhe përfshirjen e projekteve të propozuara.

Ministria kërkon që për investimet publike dhe me vlerë mbi 10 miliardë lekë, të ndryshojnë rregullat.

Tashmë në studimin e fizibilitetit të projekteve të mëdha duhet të përfshihet dhe analiza kosto-përfitim, ndërsa do të miratohet dhe një listë unike me projektet me rëndësi kombëtare.

Ndër të tjera janë një sërë reformash që Ministria e Financave vendos si prioritet për ekonominë shqiptare. E para është punësimi i të rinjve, që nuk janë as në arsim. Kështu ka filluar krijimi i një Garancie Rinore që do mbështesë grupmoshat nga 15 – 29 vjeç për tu integruar në treg pune.

Kjo do konsistojë edhe në fuqizimin e institucioneve si AFP(Agjencia e Formimit Profesional) dhe Agjencisë Kombëtare të Punësimit. Një prioritet tjetër është rritja e mburojës ekonomike për popullsinë në rrezik varfërie, duke rritur fondet e alokuara për pensionistët dhe grupet e tjera në nevojë.

Më pas Ministria e Financave në strategjinë e saj zotohet të përmirësojë mjedisin e biznesit dhe klimës së investimeve duke rritur mbështetjen e qeverisë dhe duke trajtuar informalitetin.

Më tej një tjetër pikë kyçe është zhvillimi i infrastrukturës broadband (rrjetit të gjerë) për ekonominë digjitale, e cila synon të dërgojë në çdo pikë të Shqipërisë internet të shpejtë dhe të aksesueshëm në çdo kohë.

Projekti për zhvillimin e broadband do të nis në Veri dhe në Jug duke përfshirë këtu zonat rurale dhe të largëta si dhe në zonat turistike.

Në dokumentin strategjik përmendet edhe mbështetja për start-upet, liberalizimi ne tregut të energjisë dhe integrimin e mëtejshëm ekonomik, në hapësirën e Open Balkan dhe më gjerë në tregun e BE-së.

Top Channel