Shtetet e Bashkuara së bashku me Gjermaninë dhe Britaninë premtuan dërgimin e tankeve luftarake Abrams, Leopard dhe Challenger në Ukrainë, për të ndihmuar përpjekjet e Kievit në luftë kundër Moskës.
Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Steve Redisch sjell një analizë mbi mundësitë që ofrojnë dhe dallimet midis këtyre tankeve të përparuara.
Me një motor prej 1 mijë e 500 kuaj-fuqi, tanku amerikan Abrams M1 konsiderohet gjerësisht si tanku me teknologjinë më të përparuar në përdorim.
Ai drejtohet nga një ekip prej katër vetash.
Abrams M1 është i pajisur me një top120 milimetërsh, për të shkatërruar tanket e armikut dhe automjetet e tjera të rënda të blinduara.
Ky tank ka edhe tre mitralozë, një të rëndë për të shkatërruar automjetet e blinduara lehtë dhe dy të tjerë që konsiderohen si armë për të sulmuar personelin e armikut.
Mund të lëvizë me një shpejtësi prej rreth 65 kilometrash në orë, në një distancë maksimale prej rreth 425 kilometrash.
Motori i tankut Abrams M1 funksionon më së miri me karburant avioni, duke ndikuar në shpenzimet dhe logjistikën e përdorimit të tij.
Tanku gjerman “Leopard 2” me një fuqi motorike prej1 mijë e 500 kuaj-fuqi punon me naftë, një karburant që sigurohet më lehtë.
Ky tank ka shumicën e veçorive të tankut amerikan, si topi prej 120 milimetrash dhe mitralozët e lehtë.
Tanket gjermane dhe ato amerikane janë krijuar për të mbrojtur më mirë ekuipazhet e tyre prej katër personash, ndryshe nga tanket e prodhimit sovjetik, që përdoren tani nga Ukraina dhe Rusia.
“Në tanket M1A1 dhe Leopard 2 ushtarët janë shumë më të sigurt, sepse municioni i këtyre tankeve është jashtë vendit ku qëndron ekuipazhi. Në një tank sovjetik, predhat janë brenda kabinës ku ndodhen ushtarët. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme katastrofike për ekuipazhin dhe vetë tankun”, thotë Gian Gentile, ish-komandant i tankeve të ushtrisë amerikane
Me një ekip prej katër vetash, Leopard 2 lëvizë me shpejtësi të ngjashme me tankun Abrams, por distanca maksimale e tij është rreth 340 kilometra.
Mbi 2 mijë tanke Leopard 2 ndodhen në shumë vende evropiane, duke e bërë atë shumë të disponueshëm, që është edhe përparësia kryesore e tij.
Tanku Challenger 2 i Britanisë ka një top 120 milimetrash si armë kryesore, së bashku me disa mitralozë të lehtë, ngjashëm me tanket e tjera. Municioni i tij ruhet gjithashtu jashtë kabinës së ekuipazhit.
Motori i tij që funksionon me naftë është më i vogël, 1 mijë e 200 kuaj-fuqi. Challenger 2 nuk është i shpejtë aq sa dy të tjerët.
Por distanca maksimale e tij prej mbi 500 kilometrash është dukshëm më e mirë se e tankeve të prodhuara në Shtetet e Bashkuara dhe Gjermani.
Top Channel