Një sulmues i armatosur me një Kallashnikov a bastisur sot ambasadën e Azerbaixhanit në Iran, ku raportohet se ishte zhdukur gruaja e tij vitin që shkoi, duke lënë një të vrarë e dy të plagosur.
Sulmuesi vrau fillimisht rojën e qendrës diplomatike në Teheran dhe më pas tentoi të bënte të tjera viktima për arsye të “problemeve personale e familjare”, tha kreu i policisë vendase Gen. Hossein Rahimi.
Pamje tronditëse nga kamerat e sigurisë tregonin vrasësin që mësyn ambasadën duke drejtuar armën nga punonjësit e tmerruar.
Ata që ishin brenda tentonin të fshiheshin prapa detektorëve të metaleve, teksa sulmuesi hapte zjarr me flakët që duket nga gryka e armës. Në një moment ai ndjek burrat brenda një zyre të vogël.
Një prej punonjësve me guxim tenton të përleshet me sulmuesin duke i kapur armën.
Një tjetër video e kapur jashtë ambasadës tregon burrin që përplas makinën e tij me një tjetër mjet jashtë ambasadës.
Prokurori iranian Mohammad Shahriari tha se bashkëshortja e sulmuesit ishte zhdukur në prill pas një vizite në këtë ambasadë.
Agjencia vendase Mizan citonte Shahriari të thoshte se sulmuesi besonte se bashkëshortja e tij ishte ende brenda ambasadës, edhe pse kanë kaluar tetë muaj nga ngjarja.
Zyrtarë të Azerbaixhanit thonë se ngjarja po hetohet për ‘sulmin e pabesë’.
Ata shtonin se sulmuesi kishte shkatërruar postin e rojës së ambasadës me automatik, para se të ndalohej nga rojet e plagosura, të cilat raportohen jashtë rrezikut për jetën.
Zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Iranit, Nasser Kanaani, tha se vendi i tij dënonte sulmin e rëndë, i cili po hetohet me prioritet.
Azerbaixhani ka kufi me anën veri-perëndimore të Iranit. Mes dy vendeve ka pasur tensione në lidhje me konfliktin e vjetër Azerbaixhan-Armeni për rajonin Nagorno-Karabakh.
Azerbaixhani ka lidhje me Izraelin, që është armiku kryesor rajonal i Iranit.
Turqia e cila ka lidhje të forta me Azerbaixhanin, dënoi sulmin duke bërë thirrje për nxjerrjen e autorëve para drejtësisë.
Top Channel