Qeveria konservatore e kryeministrit Mitsotakis i ka mbijetuar me 156 votat e shumicës parlamentare nga 299 të pranishëm, mocionit të mosbesimit të paraqitur nga opozita e majtë në lidhje me skandalin e përgjimeve ndaj politikanëve, krerëve të ushtrisë dhe disa gazetarëve.
Në një debat tre ditor, ligjvënësit grekë në fillim, dhe mesditën e së premtes liderët e partive politike parlamentare, kanë shkëmbyer kritika të ashpra dhe karakterizime të rënda, sidomos dy rivalët kryesorë Kyriakos Mitsotakis dhe Alexis Tsipras. Lideri i SYRIZA-s ka folur për shkelje institucionale dhe kushtetuese duke e cilësuar kryeministrin si organizatorin e një organizate kriminale.
“E dinit shumë mirë që kryeshin përgjimet sepse i keni urdhëruar ju z. Mitsotakis. Ju ishit përgjegjësi i përgjimeve, z. Mitsotakis. I dinit të gjitha dhe për gjashtë muaj gënjenit kudo që ishit, me deklarata publike, në intervista televizive, në foltoren e parlamentit. Gënjeshtra mbi gënjeshtër. Dhe mbulimi masiv i paprecedentë i tyre nuk është vetëm dëshmi e fajit tuaj, por në vetvete është një tjetër abuzim me shtetin e së drejtës, drejtësisë dhe së vërtetës”, tha Aleksis Tsipras kreu i Syriza-s.
Nga ana e tij, kreu i qeverisë Mitsotakis e ka akuzuar Tsipras për vulgaritet, për një fushatë shpifjeje dhe përçarje të shoqërisë.
“Unë dhe qeveria jemi pozicionuar që në momentin e parë me ndershmëri, morëm përgjegjësi politike, ndryshuam përgjegjësit, dhe së fundmi votuam për një kuadër funksional modern dhe besoj shumë më funksional të Shërbimit Informativ Kombëtar. Pa anashkaluar gabimet e bëra, politikisht kam mbajtur qëndrimin se përgjimi i zotit Androulakis ishte i papranueshëm politikisht. Çdo anë tjetër e errët të përgjimeve , është duke u hetuar tërësisht si nga Drejtësia ashtu edhe nga Shërbimi i Punëve të Brendshme dhe gjithçka do të zbardhet në fund”, u shpreh kryeministri grek.
Skandali i përgjimeve të cilin qeveria e ka mohuar vazhdimisht , ka shpërthyer verën e kaluar kur gazeta e majtë “Documento” ka publikuar emrat e më shumë se 30 politikanëve , midis tyre kreu i socialistëve grekë Nikos Andrulakis , por edhe ministrave, zyrtarëve të ushtrisë apo gazetarëve që përgjoheshin nga Inteligjenca greke apo nga softwari i paligjshëm “Predator”. Madje përdorimi i këtij të fundit ishte pjesë e hetimit të një komisioni hetimor të Parlamentit Evropian, i njohur si PEGA.
Mocioni dhe debati parlamentar janë zhvilluar vetëm disa javë para zgjedhjeve parlamentare, në një klimë tashmë të polarizuar ku skandali i përgjimeve , shtrenjtësia, kriza energjitike dhe marrëdhëniet me Turqinë, pritet të ndryshojnë ose jo preferencën politike të grekëve.
Top Channel