Nëntë pasuri të paluajtshme janë konfiskuar në Elbasan dhe Pogradec nga operacioni “Plumbi i Artë”, në pronësi të Florenc Çapjas, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje të babë e bir në vitin 2012.
Pasuritë e konfiskuara në dy qytete ishin në pronësi të Çapjas dhe familjarëve të tij, me vendim të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Konkretisht janë sekuestruar, pasuri e llojit arë, me sipërfaqe 500 m2, në Udënisht, Pogradec;
Pasuri e llojit truall me sipërfaqe 36.2 m2 dhe ndërtesë me sipërfaqe 25.73 m2, në lagen “Emin Matraxhiu”, Elbasan, pasuri e llojit arë+truall+ndërtesë, me sipërfaqe totale 1756 m2, truall me sipërfaqe 450 m2 dhe sipërfaqe ndërtese 214 m2;
Pasuri e llojit godinë banimi, me sipërfaqe trualli 498.8 m2 dhe sipërfaqe ndërtese 293.8 m2, pasuri e llojit truall+ndërtesë, me sipërfaqe totale 360 m2 dhe sipërfaqe ndërtese 120 m2, pasuri e llojit arë, me sipërfaqe totale 720 m2, të treja në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan;
Pasuri e llojit arë, me sipërfaqe totale 764 m2, pasuri e llojit arë, me sipërfaqe totale 1380 m2, dhe subjekt me aktivitet lavazh dhe bar-kafe, po në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan.
Ndërkohë, nën drejtimin e SPAK po vijon puna për gjurmimin dhe konfiskimin e pasurive të tjera me burime kriminale, të cilat Florenc Çapja mund t’i ketë regjistruar në emër të tij apo të familjarëve të tij.
Si ndodhi vrasja e dyfishtë nga Florenc Çapja?
Florenc Çapja është i akuzuar nga SPAK si porositës i vrasjes në 2012 të babë e bir Nezir dhe Gentian Beqirit në Elbasan. Babë e bir u vranë në banesën e tyre, teksa Gentian Beqiri ishte në ‘arrest shtëpie’ dhe ruhej me dy policë në derën e shtëpisë, pasi akuzohej si autor i vrasjes së biznesmenit të njohur Sokol Çapja, ngjarje kjo e ndodhur në dhjetor të vitit 2005. Gentian Beqiri u vra brenda banesës së tij që ndodhej në lagjen “Sporti i vjetër” në Elbasan, teksa qëndronte i shtrirë në krevat pasi ishte i paralizuar dhe më pas vranë edhe babanë e tij Nezir Beqiri.
Kjo ndodhi ndërkohë që jashtë derës së shtëpisë ruanin dy efektivat e policisë, të cilët u akuzuan më pas për “Shpërdorim detyre”.
Në këtë vrasje ai dyshohet se ka bashkëpunuar me xhaxhain e ti Ardjan Çapjen ndërsa ai vetë mundi t’i shpëtojë prangave duke u arratisur në Dubai duke përfituar nga mungesa e një marrëveshje ekstradimi mes qeverisë shqiptare edhe autoriteteve të Dubait.
Top Channel