Myslimanët Bangladesh dhe Malajzi shprehën zemërimin e tyre me protesta, pas sulmeve që Holanda e Suedia i bënë Kuranit.
Pas lutjeve së përhershme të së premtes, ata dolën në sheshe me pankarta në duar, për djegien e librit të shenjtë të myslimanëve nga aktivisti anti-islamik Rasmus Paludan.
Protestuesit nisën marshimin e tyre duke ngritur zërin dhe treguar pankartat, me mesazhe të ndryshme.
Gjatë tubimit, jashtë një xhamie në Bangladesh, pati edhe të shtëna me armë nga ana e policisë, për të arritur shpërndarjen e tyre. Besimtarët u detyruan të faleshin nën praninë e policisë në ambientet e jashtë të xhamisë.
Qindra malajzianë zhvilluan protestën e tyre në Kuala Lumpur, me kërkesat e qarta për marrjen e masave pas kryerjes së veprimit.
Shfaqja publike e zemërimit erdhi pasi një kopje e librit të shenjtë mysliman u dogj në Stokholm të shtunën, dhe faqet e një kopjeje tjetër të Kuranit u grisën në Holandë një ditë më pas.
Tre ditë më parë Turqia i dënoi ashpër veprimet e kryera, duke hequr dorë nga mbështetja e saj për anëtarësimin e Suedisë në NATO.
Suedia dhe Finlanda kërkojnë anëtarësimin në NATO por duhet që të japë votën e saj edhe Turqia si vend anëtar i aleancës. Autoritetet turke e kushtëzojnë votën e tyre me dorëzimin e anëtarëve të komunitetit kurd që strehohet në këto vende.
Si për ta rënduar edhe më shumë situatën Kurdët dolën në Suedi në një protestë ku mbanin parulla kundër Erdogan. Njëkohësisht Ankaraja ka paraqitur disa kërkesa për Suedinë, siç është ekstradimi i personave që akuzon për terrorizëm apo që kanë qenë pjesë e grusht-shtetit të dështuar ushtarak në vitin 2016.
Top Channel